Forca e Sigurisë së Kosovës është vetëm një hap larg transformimit në ushtri, dhe është e gatshme të marrë detyra të reja. Këtë e thotë komandanti i Forcës së Sigurisë gjenerallejtënant Rrahman Rama, ku thekson se nuk po ndërtohet një forcë që do të jetë rrezik për dikë, por një të tillë që do të jetë faktor stabiliteti në Kosovë dhe rajon.
Në një intervistë të dhënë për KosovaPress, Rrahman Rama flet edhe për largimet e pjesëtarëve serbë nga institucioni i FSK-së. Sipas tij, nuk është morale e as ligjore, që dikush nga jashtë të ndërhyjë në punët e Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka miratuar një pako prej tre projektligjeve për FSK-në duke ia proceduar kështu Kuvendit për miratim. Këto projektligje rregullojnë rolin, funksionimin dhe shërbimin në FSK.
Kështu, po synohet të përfundojë procesi i tejzgjatur për formimin e ushtrisë së Kosovës.
Komandanti i FSK-së, thotë se këtë proces e ka vështirësuar vetëm problemi politik, meqë FSK ka kohë që është e gatshme të marrë detyra të reja.
I pyetur për kushtet dhe pajisjet që do t’i ketë forca e re, Rama thotë se e rëndësishme është që pjesëtaret të jenë të përgatitur.
Që nga themelimi, prioritet i FSK-së ka qenë integrimi i komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë. Aktualisht, pjesëmarrja e tyre në FSK është 10.2 përqind.
Madje, në fillim të këtij viti, FSK kishte bërë rekrutime të veçanta vetëm për komunitetin serb, duke shtuar kështu numrin, 5.5 për qind në FSK ishin vetëm serbë.
Por, ky numër pësoi rënie këtë vit, kur shumë pjesëtarë të FSK-së, nga komuniteti serb, dhanë dorëheqjen.
Komandanti i FSK deri tani ka nënshkruar 51 vendime për largim.
Por, sipas udhëheqësit të institucionit më të besueshëm në vend, largimi i tyre nuk kishte fare të bënte me ndonjë problem të pjesëtarëve me FSK-në, meqë sipas tij, ata kishin deklaruar të gjithë se ishin shumë të kënaqur me trajtimin dhe punën aty.
Gjenreal Rama vlerëson se nuk është morale, e as ligjore, që dikush të përzihet në punët e brendshme të një shteti tjetër.
Tutje, Rama thotë se formimi i ushtrisë nuk paraqet rrezik për askënd, por ajo do të jetë faktor stabiliteti në Kosovë dhe rajon.
Për largimin e pjesëtarëve serbë të FSK-së Rama thotë të jenë njoftuar vendet e QUINT-it, NATO, KFOR dhe të gjitha institucionet e sigurisë.
Forca e Sigurisë së Kosovës është kategori kushtetuese, dhe ndryshimi i saj mund të bëhet vetëm me Kushtetutë.
Për të ndryshuar Kushtetutën duhet dy të tretat e deputetëve, përfshirë këtu edhe dy të tretat e deputetëve nga komuniteti serb.






