Përgjatë një jave, në rajonin e Llapit janë regjistruar disa raste të vjedhjeve të rënda, raporton Llapi.info.

Nëpër disa shtëpi, hajnat kanë depërtuar me forcë, teksa kanë vjedhur mijëra euro. Rasti më i freskët është ai në fshatin Shtedim. Atje, hajnat kanë thyer dy shtëpi, ndërkohë që kanë vjedhur stoli ari dhe para të gatshme. Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Dy ankuesit meshkuj kosovarë kanë raportuar se person-a të panjohur me forcë kanë depërtuar në dy shtëpitë e tyre dhe përveç demolimit,  në njërën prej tyre kishin arritur të vjedhin një sasi stoli ari  dhe para të gatshme”, thuhet në raportin e PK-së.

Pa dhënë detaje tjera, Policia ka thënë se rasti duke u hetuar nga njësitë relavante. Siç mëson Llapi.info, hajnat në këto dy shtëpi kanë arritur të vjedhin stoli ari në vlerë rreth 12 mijë euro dhe rreth 2 mijë euro para të gatshme.

Hajnat bëjnë kërdi në dy shtëpi në Podujevë, vjedhin mijëra euro

Ditë më parë një vjedhje ndodhi edhe në fshatin Dobratin të kësaj Komune. Në një shtëpi, hajnat kanë vjedhur para të gatshme dhe stoli ari. Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. 

“Podujevë, 19.06.2021-11:46. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se person-a të panjohur me forcë kanë depërtuar në brendinë e shtëpisë së tij dhe nga aty kanë vjedhur: para  dhe stoli ari.  Ne  lidhje  me  rastin  është  njoftuar  prokurori. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e PK-së, pa dhënë detaje tjera.

Siç mëson Llapi.info, vlera e dëmit të shkaktuar një personi nga kjo vjedhje arrin në mbi 20 mijë euro.

Vjedhje e rëndë në Podujevë

Kurse, një shtetas i Shqipërisë ka raportuar në Policinë e Podujevës se hajnat kanë kryer vjedhje nga vetura e tij.

“Podujevë, 21.06.2021-07:00-19:30. Ankuesi mashkull shtetas i Shqipërisë ka raportuar se nga vetura e tij janë vjedhur targa e Republikës së Kosovës si dhe letërnjoftimi i lëshuar nga Republika e Shqipërisë”, thuhet në raportin e PK-së. Pa dhënë detaje tjera, Policia e Kosovës rastin e ka cilësuar si “vjedhje e rëndë”.

Shtetasi i Shqipërisë thotë se i janë vjedhur gjëra në veturën e tij në Podujevë

Një tjetër vjedhje ka ndodhur në fshatin Zakutë të Komunës së Podujevës.  Në një shtëpi në këtë fshat hajnat kanë vjedhur një armë. Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, derisa është bërë e ditur se ndaj personit që ka raportuar këtë vjedhje është iniciuar rast, pasi arma e vjedhur ka qenë pa leje.

“Fsh. Zakut, Podujevë, 17.06.2021 – 06:33. Ndaj të dyshuarit mashkull kosovar është iniciuar rasti, pasi që ka informuar se persona të pa njohur i kishin vjedhur pushkën e gjuetisë me leje të skaduar. Me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e PK-së, pa dhënë detaje tjera.

Podujevë: Hajnat ia vjedhin armën në shtëpi, policia inicion rast se e kishte pa leje

Duhet theksuar edhe përgjatë këtij viti numri i vjedhjeve në Podujevë ka qenë i madh, ndërkohë që i theksuar ka qenë edhe i atyre të rënda./Llapi.info