Më 7 nëntor 1983, rreth 100 oficerë të lartë ushtarakë u mblodhën në selinë e NATO-s në Bruksel për ta “zhvilluar” Luftën e Tretë Botërore. Simulimi vjetor, i njohur si “Shigjetari i shkathtë”, ndodhi në fund të një manovre konvencionale të përmasave të mëdha – “Mësymja e Vjeshtës” – në të cilën morën pjesë me dhjetëra e mijëra trupa të NATO-s nga mbarë Evropa Perëndimore.

“Shigjetari i shkathtë 83” ishte mbajtur në kohën e tensioneve të thelluara të Luftës së Ftohtë. Marrëdhëniet midis vendeve të Paktit të Varshavës dhe atyre të rreshtuara për krah NATO-s qëndronin më keq se kurrë më parë, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”.

Në fillim të atij viti, presidenti amerikan, Ronald Reagan, e kishte cilësuar Bashkimin Sovjetik si një “perandori e ligë”. Dhe në shtator, pilotët sovjetikë e qëlluan një aeroplan korean të linjës “Korean Airlines 747”, duke i lënë të vdekur të gjithë 269 personat në bord.

Në ndërkohë, të dyja anët e Perdes së Hekurt ishin në proces të zhvillimit të armëve bërthamore me rreze të shkurtra veprimi – përfshirë raketat me bazë në “Greenham Common” të Anglisë Jugore – të afta që t’i godasin caqet vetëm pesë minuta pas lansimit. Bota po përballej me një luftë që mund të shpërthente në çdo moment.