Salih Spahiu – arkitekt

Planifikimi hapësinor dhe ai urbanistik kanë rëndësi shumë të veçantë. Edhe kësaj radhe më duhet të citoj profesorin e ndjerë, arkitektin Bashkim Fehmiu, i cili thoshte: “Plani hapësinor është Kushtetuta e dytë e një shteti”. Si po zbatohet kjo “Kushtetutë e dytë“ te ne në Kosovë? Mendoj se përgjigjja është shumë negative. Kjo “Kushtetutë“ për hapësirën duhet që prej letrës të kalojë në praktikë, natyrisht nëse është profesionale dhe gjithëpërfshirëse

Planifikimi hapësinor dhe ai urbanistik – për çdo vend, pra edhe për ne në Kosovë – ka qenë, është dhe do të jetë shumë i rëndësishëm për sot dhe për të ardhmen tonë. Këto planifikime janë kategori integrale, komplekse dhe multidimensionale, që më vete përfshijnë shumë fusha të jetës sonë dhe progresit, që nga ditët e para të zhvillimit njerëzor.

Mjerisht në Kosovë nuk mund të jemi të kënaqur me këtë planifikim. Kemi shumë plane dhe ligje, por zbatimi i tyre në praktikë është shumë i zbehtë e ndonjëherë edhe me pasoja të mëdha për sot dhe për të ardhmen. Për zbatimin e tyre mendoj se të gjithë jemi përgjegjës në forma të ndryshme, por më së tepërmi ata që marrin vendime në emrin tonë për këtë çështje vitale. Edhe kësaj radhe më duhet të citoj profesorin e ndjerë, arkitektin Bashkim Fehmiu, i cili thoshte: “Plani hapësinor është Kushtetuta e dytë e një shteti”. Si po zbatohet kjo “Kushtetutë e dytë“ te ne në Kosovë? Mendoj se përgjigjja është shumë negative.

Kjo “Kushtetutë“ për hapësirën duhet që prej letrës të kalojë në praktikë, natyrisht nëse është profesionale dhe gjithëpërfshirëse. Nga ajo çka po shohim nëpër qytete, fshatra dhe kudo që sillemi, me keqardhje më duhet të them se jemi shumë larg.

Ne, pushteti qendror dhe ai lokal, duhet të jemi shumë më shumë të përkushtuar për këtë. Pra, duhet vetëdije, disiplinë dhe zbatim rigoroz i ligjeve dhe vendimeve të mira që i merr Kuvendi, Qeveria, komunat tona dhe profesionistët e mirëfilltë. Mendoj se këto janë hallkat kryesore për ta ndryshuar gjendjen e rëndë që e ka kapluar vendin tonë – hapësirën e gjerë, mjedisin urban dhe atë rural. Nuk jam shumë i sigurt se janë shfrytëzuar të gjitha kapacitetet shtetërore dhe ato profesionale në këtë drejtim. Besoj se disa prej nesh e dimë mirë se në Kosovë qysh në vitin 1975 ka ekzistuar: “Plani hapësinor i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës“ (sipas emërtimit të asaj kohe).

Ky plan qysh atëherë ka trajtuar: çështjet themelore dhe synimet e zhvillimit shoqëror-ekonomik, organizimin e hapësirës, parakushtet strategjike dhe masat për realizimin e planit, e të tjera.

Pra, para 45 vjetëve ky plan, ndër të tjera, ka trajtuar me theks të veçantë problemin e hapësirës si kategori shumë e rëndësishme për jetën tonë. Sa është realizuar ky plan, për arsye të njohura mirë politike dhe shoqërore është diçka tjetër.

Sot në Kosovë, siç e dimë, janë rrethana të reja dhe krejtësisht të tjera, si në aspektin politik ashtu edhe në atë shoqëror.

Në vitin 2010, pra para dhjetë vjetëve Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e hartoi Planin Hapësinor të Kosovës të emërtuar “Strategjia e Zhvillimit Hapësinor të Kosovës 2010-2020+”. Slogani i këtij plani është: “Kosova shtëpia jonë”, por duke parë se çka po ndodh sot me “shtëpinë tonë – Kosovën”, nuk e di se sa mund të pajtohem me këtë “slogan” (thënie).

Ky plan përfshin: profilin e zhvillimit hapësinor dhe analizën e gjendjes ekzistuese, vizionin, parimet dhe caqet, kornizën e zhvillimit hapësinor, strategjinë, veprimet për zbatim, si dhe dispozitat për zbatim.

Duke e parë gjendjen në hapësirë, nuk jam i sigurt sa dhe si është realizuar ky plan pas dhjetë vjetëve. Uroj që të jem gabim. Se sa i rëndësishëm është ky dokument më së miri flet ky citat: “Plani hapësinor i Kosovës është dokument i cili duhet të promovojë interesat e përbashkëta të banorëve të Kosovës, për një zhvillim më të shpejtë ekonomik me qëllim të përmirësimit të kualitetit të jetës, por njëkohësisht edhe të mbrojë resurset, trashëgiminë natyrore dhe kulturore…”.

Nga e gjithë kjo shtrohet pyetja: “sa po e zbatojmë ne ligjin për planifikimin hapësinor” të miratuar në vitin 2003? Për këtë përgjigje duhet të japin: Kuvendi i Kosovës, Qeveria, ministritë përkatëse, si dhe kuvendet komunale.

Ky planifikim, pra planifikimi hapësinor, është veprimtari kontinuale që bazohet në përcaktimin e vlerave të shoqërisë dhe zhvillohet në harmoni të ngushtë me rezultatet e kërkimeve shkencore dhe me përcjelljen e vazhdueshme të gjendjes dhe zhvillimeve në hapësirë. Për këtë temë mund të flitet dhe shkruhet shumë më shumë.

Meqenëse tani jemi në fund të vitit 2020 e “Plani hapësinor i Kosovës” (i ri) i hartuar në vitin 2010, që përfshinë periudhën kohore 2010-2020+, mendoj se është kohë e duhur që të gjitha instancat relevante shtetërore dhe profesionale të japin vlerësimin e duhur, por edhe direktivat e nevojshme për veprim të mëtejmë, nëse dëshirojmë që gjërat mos të mbesin vetëm në letër. Jam shumë i bindur se situata ku ndodhemi dhe realiteti ynë flasin më së miri.

Në kategorinë e planifikimit bie edhe planifikimi urbanistik, me të gjitha planet tjera që përfshin kjo fushë. Planifikimi urbanistik i ka katër funksione kryesore: e para: që t‘i sigurojë njeriut banim të shëndetshëm me ajër të pastër dhe diell (izolim të domosdoshëm). E dyta: të organizojë mirë hapësirën për punë. E treta: të parashohë dhe sigurojë hapësira të lira e të gjelbëruara, si dhe ato për rekreacion. E katërta: të sigurojë kushte për trafik të mirëfilltë për automjete dhe lëvizje të sigurt për njerëzit.

Planifikimi urban dhe rural është efikas vetëm atëherë kur zhvillohet politikë e mirëfilltë dhe ku ka qeverisje të mirë. Te ne mendoj se kjo mungon në masë të duhur. Ky planifikim duhet të jetë multidisiplinor. Ai shpeshherë e përcakton edhe sigurinë e jetës sonë. Për këtë planifikimi që të jetë i mirë, duhet të punojnë profesionistët me përvojë e referenca të dëshmuara e jo të planifikohet sipas tenderëve “më të lirë ” ose me ata që profesionin e kanë shndërruar vetëm në tregti.

Në Kosovë shumë herë interesi privat po mbizotëron mbi atë publik. Për këtë ka shumë shembuj. Sipas meje, kjo ka çuar në një gjendje kaotike në urbanizëm dhe mjedisin tonë. Në botën moderne zhvillimi urban planifikohet detajisht. Në këtë fushë legjislacioni duhet të jetë mekanizmi kryesor dhe vendimtar, pra instrument për ta ndryshuar gjendjen, në të cilën jemi.

Në mungesë të një planifikimi të mirëfilltë ose mosveprim të duhur, jemi dëshmitarë të ndërtimeve stihike dhe uzurpimit të tokës bujqësore, që është burim i ushqimit tonë, domethënë burim ekzistencial për jetë. Për këtë fenomen duhet menduar shumë e shumë pasi çdo ditë e më tepër po rrezikohen ekzistenca dhe ardhmëria jonë. Për të gjithë ne, si dhe për ata që marrin vendime në emrin tonë është turp që lagjet ose disa pjesë të qyteteve tona të planifikuara dhe ndërtuara para shumë vjetëve, në aspektin urban janë shumë më të mira dhe më humane se ato të sotmet që për çdo ditë dëgjojmë se janë: “me norma e standarde evropiane”. Çfarë ironie?

Kjo çka po ndodh sot shpeshherë nuk ka lidhje me urbanizëm të mirëfilltë, por vetëm me përfitime materiale ku të gjitha ligjet, normat, standardet e rregullat “bien në ujë”.

Me një rast Winston Churchill thotë: “Ne së pari i modelojmë objektet e pastaj ato na modelojnë neve. Nuk ekziston asnjë gjë e cila ka më shumë ndikim në ne e që i parapërcakton mendimet tona se sa lagjja ku jetojmë, sepse vazhdimisht jemi nën ndikim të mjedisit që na rrethon e në të cilin jetojmë”.

Në këtë shkrim (opinion) ka qenë e pamundur të përfshihen të gjitha komponentët relevante të planifikimit hapësinor dhe urbanistik te ne në Kosovë.

Për këtë çështje mendoj se institucionet kompetente duhet të merren shumë më tepër se gjer tani. Kam bindjen që sinjalet e kohëpaskohshme të profesionistëve dhe ekspertëve të ndryshëm nuk kanë dhënë rezultate, pasi në shumë raste kanë dominuar interesa të ndryshme.

Sot ka ardhur koha (mendoj shumë vonë) që të merren vendime në ruajtjen e interesave tona afatgjate. Angazhimi i profesionistëve me përvojë e referenca është imperative i kohës. Mendimet dhe vendimet e tyre duhet respektuar. Tekefundit kështu vepron çdo shoqëri që synon progres dhe zhvillim.

Ne duhet të krijojmë hapësira me vlera humane dhe ambientale. Këto vlera sot janë të mbështetura në shkallën më të lartë që ka arritur civilizimi njerëzor. Përmirësimi i cilësisë së jetës për të gjithë njerëzit duhet të jetë qëllimi primar. Besoj se kjo mund dhe duhet të shprehet në çdo planifikim, plan dhe në të gjitha projektet tona.