Sa herë e kemi parë këtë imazh? Ai shfaqet prapa spikerëve të lajmeve gjatë përditësimeve të mbrëmjes, kalon dorë më dorë në fletushka të shtypura dhe shfaqet në çdo “cicërimë”. Mund edhe t’iu dëftohet në ëndrra.

Por për Alissa Eckertin – ilustruese mjekësore në Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve që ndihmoi në krijimin e asaj që u bë përfaqësim ikonik i koronavirusit të ri – ai filloi si çdo punë tjetër, transmeton KOHA.

Më 21 janar, ditën kur C.D.C aktivizoi qendrën e vet të operacioneve emergjente për koronavirusin e ri, zonjës Eckert dhe kolegut të saj Dan Higgins iu kërkua të krijonin një “identitet” për virusin. “Diçka që do të përftonte vëmendjen e publikut”, ka thënë ajo. Zonja Eckert priti që çfarëdo që ata do të bënin mund të shfaqej në disa programe lajmesh, siç kishte ndodhur në të kaluarën.

Në vend të kësaj, derisa pandemia po shpërndahej tej e tej, edhe krijimi i tyre nisi të zgjerohej. “Ai nisi të shfaqej kudo në botë”, thotë ajo.

Zonja Eckert përdor artin për t’i bërë të kapshme konceptet e vështira mjekësore. Fjala vjen, dhjetëra ilustrime të defekteve të lindjeve që ka bërë ajo gjatë viteve mund të jenë “një çikë më të lehta për njerëzit për t’i kuptuar”, sesa fotografitë, ka thënë ajo.

Shpesh kjo nënkupton të vësh në dukje atë që nuk shihet. Një prej ilustrimeve të saj të pëlqyera, një grumbull i Neisseria gonorrhoeae, bakteri që shkakton gonorrenë, është përdorur vitin e kaluar në një raport mbi rezistencën e antibiotikëve. Në portretimin e saj, bakteri pluskon si kandil deti, me zgjatimet e veta të kapërthurura. Qëllimi ishte për t’i bërë ato “të dukeshin sikur të ishin të gjalla”, ka thënë ajo, “ashtu që të dini si të ruheni prej tyre”.

Përgjatë viteve, zonja Eckert, zoti Higgins dhe kolegët e tyre kanë marrë një varg qasjesh për virusët. Ndonjëherë, ata e përfaqësojnë virusin me vektorin e tij kryesor – faqja e C.D.C, fjala vjen, nënvizon mushkonjat. Apo ata përqendrohen te simptomat e virusit, siç kanë bërë për Ebolën. Por për ilustrimin e koronavirusit, ata shkuan në atë që artistët profesionistë të mjekësisë e quajnë “shkrepje e bukur”: një afrim i imtësishëm solo.

“Ne vetëm bëmë thirrje për kujdes ndaj virusit”, ka thënë ajo.

Koronavirusi i ri, sikur të gjithë virusët, është i mbuluar me proteina që i japin atij karakter dhe trajta. Aty janë proteinat me gjemba apo S-proteinat – grumbujt e kuq në imazh – që i mundësojnë virusit të arrijë qelizat njerëzore. E-proteinat, të përfaqësuara nga thërrmija të verdha, e ndihmojnë atë për të hyrë në këto qeliza. Dhe proteinat e membranës, apo M-proteinat, të shënuara me të verdhë, i japin virusit formën e tij.