Si shumë festivale të filmit, ekuivalenti evropian i “Oscars” mbahet në mënyrë digjitale. Organizatorët thonë se është një mundësi për të provuar gjëra të reja

Dashamirët e filmit dhe festivaleve, si dhe filmbërësit, e kanë vënë në dyshim prej muajsh: ceremonia e “European Film Awards” është caktuar të mbahet online. Gjatë këtij viti, me pandeminë e koronavirusit, të gjitha festivalet e mëdha, përfshirë Locarnon, Cannesin dhe Venecien, u detyruan t’i zhvendosin programet e tyre në format online, kështu që ishte fare e natyrshme që edhe “European Film Awards” të vepronte njësoj.

Duket sikur ngjarjet me tepihun e kuq janë kujtime të largëta nga e kaluara e lavdishme. Megjithatë, derisa festivale të tjera të filmit u detyruan t’i ricaktojnë oraret e tyre, organizatorët e edicionit të 33-të të “European Film Festival” kishin mjaftueshëm kohë për t’iu përshtatur rrethanave të pandemisë dhe për ta përsosur formatin e ri digjital.

Organizatori i ngjarjes, European Film Festival në Berlin (EFA), e ka quajtur atë si “një mënyrë tjetër të të shpalosurit të çmimit”.

Në vend të ngjarjes gala që ishte planifikuar të mbahej me 12 dhjetor në Reykjavik, Islandë, filmat shpërblehen në një varg ceremonish virtuale që kanë nisur prej të martës së kësaj jave. Ceremonia e fundme do të zërë vend sonte.

Kalimi në formatin digjital nuk ishte aq i thjeshtë.

“Vendimi nuk ishte i lehtë për ne”, ka thënë Mike Downey, kryesues i bordit të “European Film Academy” në Berlin. Në të njëjtën kohë ai ka premtuar se ngjarjet do të jenë të veçanta dhe më shumë sesa veç zgjedhje e përkohshme: “Nevoja është nëna e të gjitha zbulimeve”, ka thënë Downey, i cili është edhe producent filmi nga Irlanda. Formati i ri është menduar t’i frymëzojë ngjarjet e ardhshme të “European Film Academy”.

Mundësia për të vënë në pikëpyetje formatin e ceremonisë së çmimeve në industrinë e filmit ishte një prej pasojave të rralla, por pozitive, të pandemisë së koronavirusit. Mundësitë janë reflektuar edhe në programin e sivjetmë të “European Film Awards”.

Derisa ceremonitë e çmimeve në festivalet e mëdha të filmit ishin parësisht ngjarje glamuroze në të cilat kremtoheshin VIP-at e industrisë së filmit, fokusi tashmë ka ndryshuar ndjeshëm.

Një shembull është ngjarja e EFA-s, e 8 dhjetorit. Në panelin e diskutimit, të quajtur “From Survival to Revival: Building the Post-Covid Future”, filmbërës të njohur diskutojnë riorganizimin thelbësor të industrisë evropiane të filmit.

Rrallë të ketë ndodhur që hapja e festivalit të filmit të jetë fokusuar kaq shumë në njerëzit që punojnë prapa kamerave, prapa vendeve të sajuara me kujdes, ashtu sikundër edhe për punonjësit e teatrit dhe kompanitë e produksionit – të gjithë kontribuuesit e industrisë së filmit që nuk marrin pjesë në ndriçimin e tepihut të kuq. Dhe për këtë s’ka pasur kurrë më shumë nevojë në industri siç ka pasur gjatë këtij viti të pandemisë COVID-19, ku u humbën kaq shumë vende pune.

Vëmendje sivjet marrin edhe kategori të tjera më pak prestigjioze.

Megjithatë, ngjarja e madhe është ende ceremonia e fundme e çmimeve sonte më 12 dhjetor, kur do të jepen çmimet kryesore, përfshirë edhe kategorinë kryesore “Best European Film”, që është votuar prej 3800 anëtarëve të Akademisë së Filmit. Vëmendje do të marrin edhe çmimet për aktorin dhe aktoren më të mirë, sikundër edhe ato për regjisorin, skenarin dhe filmin më të mirë dokumentar.

Lista e ngushtë e 2020-s në kategoritë përkatëse është zgjeruar për herë të parë nga pesë filma në gjashtë dhe kjo ka sjellë larushi më të madhe në filma. Krahas produksionit polak “Corpus Christi”, filmi danez-suedez “Druk” dhe drama sociale italiane “Martin Eden”, kanë që të dyja nga katër nominime. Filmi çek “The Painted Birs” është duke u marrë parasysh, tok me dy filma gjermanë.

Përshtatja e shumëpërfolur e filmit nga libri “Berlin Alexanderplatz” po garon për filmin më të mirë. Edhe skenaristi i filmit, Martin Behnke, dhe regjisori Burhan Qurbani janë nominuar për skenarin më të mirë. Një tjetër film gjerman, drama e dashurisë e Christian Petzoldit “Undine”, do të garojë në kategorinë e filmit më të mirë evropian.

Ylli i këtij filmi, aktorja 25-vjeçare gjermane Paula Beer, garon për aktoren më të mirë kryesore, duke u vënë në garë të drejtpërdrejtë me bashkatdhetaren Nina Hoss, që luan rolin kryesor në filmin zviceran “My Little Sister”.

Në kategorinë për aktorin më të mirë evropian, Mads Mikkelsen nga produksioni danez-suedezo “Another Round”, që është nominuar tashmë katër herë për çmime, do të garojë kundër jo shumë të njohurit aktor nga Kroacia, Goran Bogdan, që konsiderohet favorit për rolin e tij si një baba i dëshpëruar në filmin “Otac”.

Më 2021, “European Film Academy” shpreson të fitojë çmimin e njohur të filmit gjatë një ceremonie në Gjermani. Ngjarja mbahet çdo dy vjet në Berlin, ku edhe ndodhet akademia.

Por, qyteti i Reykjavikut, në Islandë, që ishte vendi i planifikuar për ceremoninë e këtij viti, nuk do të mbetet duarzbrazur: ai do të jetë logu i 2022-s. Në një mënyrë ose tjetër, pandemia e koronavirusit ka ndryshuar industrinë e filmit me festivalet dhe ceremonitë e çmimeve gjatë viteve në vazhdim.

Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu Salih Mehmeti