Një shkrim në BBC Travel, nga Deborah Huso, ka bërë një përmbledhje të monumenteve të Prishtinës, ka shtruar disa pyetje, e ndër to edhe atë nëse “Prishtina është kryeqyteti më i shëmtuar në Evropë”.

Mirëpo, shkruesja e tekstit thotë se gjatë qëndrimit në qytetin tonë, ka parë objekte që janë cilësuar të shëmtuara më parë, si ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, e për të cilat thotë se kanë një bukuri që s’e ka parë diku tjetër, raporton Koha.net.

Në fund ajo thotë se bukuria e qytetit të Prishtinës janë rinia e gatshme për të shkruar kapitullin e ardhshëm.

Më poshtë gjeni të plotë shkrimin e “BBC Travel”.

A është kryeqyteti i Kosovës më i shëmtuari në Evropë?

Prishtina, Kosova, shpesh është veçuar si një nga kryeqytetet më të shëmtuara të Evropës. Është pa dyshim një vend që s’kam menduar se do ta vizitoja. Pika e vetme e referencës për mua për këtë vend ishte në një qosh të errët, të largët të mendjes sime, duke kujtuar ngjarjet tragjike që mbulonin luftën në Kosovë në fund të viteve të 1990-ta pas vitesh spastrimi etnik e dëbimi të rreth 750,000 shqiptarëve etnikë. Për vite të tëra, shumica shqiptare e Kosovës kanë ‘luftuar’ për të kontrolluar rajonin kundër serbëve, të cilët, edhe pse përmënonin vetëm 10 për qind të popullatës, e konsideronin Kosovën si djep të identitetit të tyre kulturor.

Kosovarët shpallën pavarësinë e tyre nga Serbia shkurtin e vitit 2008. Dhjetë vjet më vonë, papritmas gjeta veten në këtë qytet të rrëmujshëm mishmash. Shikon në njërën anë dhe sheh minare të xhamive shekullore të larta deri në qiell dhe statuja të reja të heronjve vendorë dhe të huaj. Shikoni në anën tjetër, dhe dikur Hotel Grandi i famshëm që ishte pronë e shtetit, sot qëndron i zbrazët me dritare të thyera. “Nuk mendoj se është hoteli më i shëmtuar në botë”, i kishte thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, një reporteri të “The New York Times”. “Por kjo vetëm për shkak se bota është shumë e madhe”.

Por, ja që u gjenda aty në një mbrëmje të ngrohtë vere, duke zgjedhur rrugën time përgjatë disa blloqeve në jug të Katedrales Shën Nëna Terezë afër bulevardeve Bill Clinton dhe George Bush. Erdha në Prishtinë vetëm për të kaluar përmes derisa po kthehesha nga ecja 10 ditore në Alpet Shqiptare. Pasi mora me qira një banesë pa ujë (problem i tërë lagjes të cilën pronari s’diti ta shpjegonte), vendosa të dilja dhe të shihja sa më shumë që të mundja në qëndrimin tim të shkurtër dy-ditor.

Me ndërtesat e saja prej betoni, në stil komunist, dhe me rrugë të pluhurosura, menjëherë e kuptova pse Prishtina përballet me këto akuza të këqija. Revista “Lonely Planet” e quajti atë si vendin “jo më të këndshëm estetikisht që do ta vizitoni”, ndërsa “The Boston Globe” dikur pati thënë, “Ky qytet ballkanik është ndoshta më i shëmtuari dhe më argëtuesi në Evropë”. Por, pas parasysh të kaluarën e vonshme të përgjakur dhe me trazira politike, të krahasosh Prishtinën me vende si Parisi apo Roma, nuk është fer. Në fund të fundit, vetëm në shekullin e fundit, luftërat në Ballkan kanë bërë që Kosova të sundohet nga Perandoria Osmane, mbretëria e Serbisë, nga Jugosllavia, e madje edhe nga Italia (si pjesë e Shqipërisë së Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore) dhe nga Serbia sërish.

Sot, përkundër se në të gjenden disa prej xhamive më të vjetra në Evropë, pjesa më e madhe e arkitekturës dikur krenare Osmane është zëvendësuar me struktura komuniste nga ditët e Jugosllavisë. Në të vërtetë, qëllimi i vetëm imi derisa isha në qytet ishte të shija konstruksionet më të famshme të periudhës komuniste: Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, një grumbull masiv i blloqeve të betonit që është quajtur si një nga ndërtesat më të shëmtuara nga “Virtual Tourist”. E hapur më 1982, Biblioteka Kombëtare është puna më e veçantë arkitekturore e Prishtinës: një monstër brutaliste, eksterieri i saj prej metali në formë gardhi që të kujton një burg.

Megjithatë, teksa po i shtyja dyert e qelqta të futura nën rrethojën metalike të bibliotekës, pash se kishte një bukuri dalluese në ndërtesë, me 99 kupolat e saj dhe dritaret e mëdha. Si eksterieri i saj i pazakontë ashtu edhe dyshemeja e hollit me gurë mermeri si mozaik, që përshkohet nga ndriçimi natyral nga kupola më e madhe e ndërtesës, tregojnë një lidhje të arkitekturës së humbur bizantine dhe islamike të Prishtinës.

Por më pas, disa blloqe më tej, është ndërtesa e re spirale e Katedrales Shën Nëna Terezë, e përfunduar më 2017, 14 vjet pasi Papa Gjon Pali i II-të e lumturoi Nënë Terezën me prejardhje shqiptare. Struktura 76 metërshe është një ndërtesë ironike këtu – edhe sepse Qyteti i Vatikanit nuk e njeh sovranitetin e Kosovës e edhe sepse 90 për qind e popullatës së Kosovës është myslimane.

Ka njëfarë drejtësie poetike. Para se Perandoria Osmane të merrte nën kontroll Kosovën në shekullin e 14-të, shumica e shqiptarëve ishin të krishterë. Me sundimin turk, shumica u konvertua në islam për të ikur nga taksat që u vendoseshin të krishterëve. Guida im i qytetit, Bekim Xhemili, kurator dhe etnolog në Muzeun Etnologjik të Kosovës, më tregoi se vetëm 3% e kosovarëve janë katolikë.

Historia e ndërtimit të Katedrales Shën Nëna Terezë reflekton dëshirën e kosovarëve për të lënë prapa dekadat e konflikteve (shumica prej tyre më shumë etnike sesa religjioze). Sipas Xhemilit, myslimanët e po ashtu edhe të krishterët kanë dhuruar fonde për ndërtimin e katedrales, ndërsa shumica e këtyre fondeve erdhën nga diaspora shqiptare në SHBA.

S’do të mund të dinit se sa të llahtarshme janë gjërat derisa shëtisni nëpër rrugët e Prishtinës, e në veçanti në bulevardin kryesor, Nënë Tereza. I mbushur me kafene dhe me një përmendore në kujtim të çlirimit të Jugosllavisë gjatë Luftës së Dytë Botërore e deri tek figurat e bronzta të ngjyrosura me flamuj amerikanë e britanikë, rruga mbushet disa herë në ditë. Prindërit shëtisin fëmijët e tyre, turistët lëpijnë akullore e studentët qëndrojnë në radhë nga një kafene në tjetrën.

Në fakt, një nga gjërat më të bukura që unë gjeta në Prishtinë ishte kultura e kafesë. Në një ecje prej një apo dy blloqesh, do të gjeni 5-6 kafene, dhe sipas Shoqatë së Gastronomëve të Prishtinës, janë më shumë se 100 të tilla në qytet i cili ka jo më shumë se 200,000 banorë. Sikurse vet Prishtina, edhe kafenetë e saj reflektojnë në një përzierje të ndikimit ballkanik, evropian dhe të Lindjes së Mesme, me disa makiatos që do t’i bënin konkurrencë Italisë apo ndonjë brendi të specializuar në Turqi.

Duke e lënë kafenë anash, ajo çka e bën këtë vend më unik është ajo çfarë thonë njerëzit për këtë vend të vogël pa dalje në det. Kafenetë janë sipërmarrje natyrore në një zonë me pak perspektivë ekonomike dhe shumica e njerëzve pinë kafe. Kafenetë janë zakonisht ato që bëjnë bashkë punëtorët qeveritarë, ata që nuk punojnë dhe intelektualët e rinj. Në fund të fundit, është kafeneja ku filloi planifikimi fillestar i lëvizjes për pavarësinë e Kosovës.

Në një ecje 5-minutshe nga Bulevardi Nëna Terezë, erdha rreth monumentit të Newborn-it i cili është shënon 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Çdo vit në ditën e pavarësisë së 17 shkurtit, kosovarët e ridekorojnë monumentin me pamje të re. Ndonjëherë, shkronjat e saj gjigante përmbajnë grafite me ngjyra ndërkaq herëve tjera, ato janë të mbuluara me nënshkrimet e qytetarëve.

Përball rrugës nga monumenti i Newborn-it , është edhe monumenti tragjik, Heroinat, i cili u ngrit në vitin 2015 për nderë të 20 mijë femrave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovës gjatë viteve 1998-99. Secila gjilpërë e vendosur në monument, paraqet një grua. Ato gjilpëra janë të vendosura në gjatësi të ndryshme dhe formojnë fytyrën e një gruaje. Monumenti ishte shumë prekës, sidomos për mua. Në ditët para se të mbërrija në Prishtinë, qëndrova në shtëpitë e disa shqiptarëve etnikë në Kosovë ku shpesh ulesha për kafe turke me zonjat e shtëpisë të cilat shpesh nisnin të më tregonin referencat e heshtura se çfarë u kishte ndodhur mikeshave të tyre, motrave dhe të bijave në duart e ushtarëve serbë – duke sjellë në jetë një nga taktikat më tragjike dhe brutale të kryera nga si nga forcat serbe, dhe, sipas Human Rights Watch, edhe nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës kundër grave serbe, shqiptare e rome.

Rruga që të largon nga një vend përkujtimi të një prej kohëve më të zeza të Kosovës është e emërtuar sipas ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright. Në të vërtetë, edhe më 2019, shumë kosovarë kanë njëfarë afere dashurie me familjen Clinton, me atë Bush dhe me politikanë tjerë amerikanë, të cilët ndjejnë se ishin instrumentalë në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Kosovarët kujtojnë bombardimet e NATO-s të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të vitit 1999 që më në fund i liruan ata nga kontrolli serb dhe i ndaluan mizoritë e luftës në të dy anët. “E duam Amerikën, e duam Bill Clintonin. Amerikanët janë heronjtë tanë”,shtoi Xhemili.

Ashtu si vetë Prishtina, ndonjëherë edhe ajo dashuri nuk është e bukur. “Ndoshta ne kemi statujën më të shëmtuar të Bill Clintonit në botë”, tha kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në një intervistë me “Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa” vitin e kaluar. “Gruaja e tij, Hillary e përuroi atë, me një fytyrë që donte të thoshte ‘ky nuk duket si burri im’”, pati thënë Ahmeti.

Dhe pa dyshim,Prishtina nuk i ngjan as Parisit e as Romës. Në Prishtinë mund të gjeni një popull elastik dhe një rini të gatshme për të shkruar kapitullin e ardhshëm. Dhe kjo është pamohueshëm e bukur.