Jeton prej afro dy dekadash në Belgjikë, por Shqipërinë e ka të mbipranishme në opusin e vet artistik. E thënia e një shkrimtari se dyzetvjeçarët janë njerëz të energjive të mëdha duket se gjen manifestimin më të këndshëm te piktori Dastid Miluka.

E pasur në vëllim dhe e thellë në përmbajtje, Shqipëria e frymëzimeve të tij të epërme rizbulohet nëpërmjet kujtimesh, ndjesish e nostalgjish, shkruan sot Koha Ditore.

Rreth dy vjet më parë, në Tiranë, ai kishte bërë bashkë 21 krijime për ekspozitën personale “Habitat dhe Hapësirat Ndërmjet”. Krejt përkorësisht e me modestinë e një artisti, Dastidi për “Kohën Ditore” flet për frymëzimet e tij, për të përbrendshmen që i gufon për t’i thënë edhe “kangët e pakëndueme” e shumçka nga jeta e tij prej krijuesi.

Image

Krijimet që nisin nga jeta

Ndërsa kemi përpara sa e sa piktura të tij, gjithandej tyre ndihet tek flatron e shpenguar fantazia dhe realja gjithnjë duke evokuar edhe të përbrendshmen shpirtërore, gëzimet e trishtimet dashurore. Po ç’trill e shtyu atë drejt këtyre kaptimeve? Është vetë jeta, përgjigjet lakonik Miluka. Për të, gjuha e figurave komunikon histori, sa personale po aq edhe humane, që në vete kanë veçse një universalizëm përvojash njerëzore.

“Për mua realiteti dhe fantazia janë pjesë të njëra-tjetrës po aq sa ne si njerëz jemi pjesë e vetë jetës”, thotë Miluka. E krijimet e tij ndër vite e marrin “spunton” e tyre nga jeta përreth po aq sa edhe nga jeta brenda vetes së tij