Zyrtarë shtetërorë të Serbisë, të cilëve u është ndaluar hyrja në Kosovë, për shkak të deklaratave fyese e kërcënuese ndaj udhëheqësve të vendit tonë, kanë thënë se nuk do ta respektojnë ndalesën dhe se në Kosovë do të vijnë sa herë ata të duan. Madje, lideri radikal serb Vojislav Sheshel, kërcënon se në Kosovë do të vijë i armatosur.
Në listën e personave, të cilëve Qeveria e Kosovës ua ka ndaluar hyrjen në Kosovë, janë: kryeministrja serbe Ana Brnabiq, ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Nebojsha Dikoviq dhe lideri i Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel (i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte)
Siç shkruan gazeta proqeveritare serbe “Kurir”, përcjell Telegrafi, kryeministrja serbe Ana Brnabiq, ka thënë se nuk është shumë e shqetësuar për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës dhe beson se do të shkojë në Kosovë kur ajo të dojë
Edhe ministri serb i Mbrojtjes ka thënë të shtunën se sa herë të dojë mund të shkojë në Kosovë.
“Disa herë, pa sukses, kanë dashur të më gjejnë dhe të më arrestojnë, kur kam shkuar në vizitë popullit tonë në enklava. Nëse do të shkojë dhe kur do të shkojë në Prishtinë, apo në Gjakovë le të mbetet çështje për të cilën do të mendojnë shqiptarët dhe policia e tyre…”, ka thënë Vulin, duke shtuar se “me ato lista, autoritetet kosovare po tregojnë frikë dhe pafuqinë e tyre, sepse populli serb ka refuzuar ta braktisë tokën e vet dhe institucione e tyre”, përcjell Telegrafi.
Ndërsa, ministri serb i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, ndalesën për zyrtarët serbë e sheh si një lloj mirënjohje për betejën që po e bën Serbia për shtetësinë dhe sovranitetin e saj.
Lideri i Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel, tregon se ai ka ndalesë të dyfishtë për hyrje në Kosovë, pasi nga viti 2002, para se të shkojë në Hagë, KFOR-i ia kishte ndaluar hyrjen në Kosovë duke e kthyer mbrapsht në kufi.
“Prej atëherë nuk kam shkuar në Kosovë, por i porosis autoritet në Prishtinë se atje do të shkoj i armatosur”, tha Sheshel.
Ndërsa, sh –shefi i Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë Lubisha Dikoviq (i akuzuar për krime lufte në vendin tonë), tha se nuk është befasura nga kjo ndalesë.
“Prej tyre mund të priten edhe gjëra shumë më të rënda. Me hapa të këtillë, ata forcojnë pozicionin e tyre te populli i vet, sepse të jeshë kundër serbëve është shumë popullore tek shqiptarët”, ka thënë ai.