Ashtu siç ka raportuar ditë më parë Llapi.info, Isak Shabani edhe zyrtarisht është kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Podujevë, shkruan Llapi.info.

Shabani, i cili është edhe deputet nga kjo parti në Kuvendin e Kosovës, ka premtuar se nga ky post të angazhohet për riorganizim dhe konsolidim të PDK-së në Llap.

Më poshtë postimi i plotë i Shabanit:

Të dashur qytetarë të Podujevës

Anëtarë, aktivistë e simpatizantë të PDK-së.

Kam kënaqësin të ju njoftoj se e kam marr në përgjegjësi postin e Kryetarit të Degës së PDK-së në Podujevë nga lidershipi i PDK-së dhe nga mbështetja e strukturave, aktivistëve dhe simpatizantëve të partisë.
Ky është një angazhim i cili më bënë krenarë për faktin se do të jem në krye të një subjekti politik i cili ka shërbyer pakursyeshëm dhe devotshëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve të vendit tonë që nga paslufta e deri në ditët e sotme.

Janë të shumta të arriturat e vendit tonë pjesë e të cilave pashmangshëm është edhe kontributi i vazhdueshëm i PDK-së si një subjekt politik shtet formues e liribërës.

Jam tejet i kënaqur dhe i privilegjuar se tani në cilësinë e kryetarit të degës do të kem kënaqësinë dhe nderin që të bashkëpunojë me secilin prej juve që ka vullnet të mirë për ta rindërtuar shpresën që po vritet nga mashtrimet e shumta politike që po e rëndojnë përditshmërinë jetësore të qytetarëve tanë.

Unë nuk do të jem kryetari i juaj, unë mbi të gjitha do të jem zëri i juaj, e ju do të jeni forca e atij zëri. Unë madje, pavarësisht pse jam kryetar i një subjekti politik, do të mirëpres e do të jem në shërbim të të gjithë qytetarëve të Podujevës, duke e parë të papërfillshëm përkatësinë politike të tyre sepse të gjithë ata për mua kanë vlerë të veçantë si bashkëqytetarë të mi të interesuar për të mirën e qytetit dhe komunës tonë.

Pas goditjeve që morëm si parti, me burgosjen dhe ngritjen e akuzave kundër liderëve tonë historik, jemi të vetëdijshëm që patëm një ngecje si Parti në përgjithësi, e në veçanti dega jonë, por jam i bindur që s’bashku do të arrijmë që ta rikthejmë forcën, sepse ja kemi borxh qytetarit dhe liderëve tonë që janë sfiduar padrejtësisht edhe me një betejë që s’ka dyshim që do ta fitojnë.

Gjatë gjithë këtyre viteve kemi rrugëtuar bashkë, e njohë qëndrueshmërinë dhe karakterin e qytetarëve, aktivistëve dhe anëtareve të degës, andaj ju them se unë do të jam një prej jush dhe qysh në ditët në vijim do te fillojmë me riorganizimin dhe konsolidim të radhëve tona.

Synimi i imi është i bazuar në nevojën e zgjerimit të strukturave me personalitete e kuadro të reja si dhe përfaqësim sa me të gjerë të femrës dhe të rinjve

Falënderim të veçantë për veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të UÇK-së që falë sakrificës dhe flijimit të tyre ne sot jetojmë dhe veprojmë lirshëm.

Duke ju premtuar që së shpejti do të kemi rastin të takohemi nga afër e të diskutojmë bashkarisht të gjitha shqetësimet dhe brengat tona të përbashkëta ju përshëndes me urimin:

Na priftë e mbara!
I juaji Isak Shabani