Vallë a është një grup nga Whatsapp-i privat apo publik? Gjykata në Arbon ka vendosur për këtë të fundit dhe gjobiti një person për paralajmërim e të tjerëve për një radar, shkruajnë mediat zvicerane.
Një banor 44-vjeçar i Thurgaut paralajmëroi anëtarët e një grupi privat në Whatsapp, për një radar në Kantonin e St. Gallenit. Për këtë veprim, ai u dënua nga Gjykata rajonale në Arbon me një gjobë prej 500 frangash, siç raporton “Thurgauer Zeitung”, transmeton Albinfo.ch.
Zvicerani në grup u ftua nga një mik. Në atë kohë grupi përbëhej nga vetëm 30 anëtarë. Në qershor të vitit 2017, zvicerani e paralajmëroi grupin në Whatsapp për një radar në relacionin në mes Niederwil SG dhe Gossau SG. Me kërkesën e një anëtari të grupit, ai i specifikoi fjalët: “Në pyll ose nën urën e autostradës”.
Prokuroria më pas i shqiptoi urdhër ndëshkimor për paralajmërimin e opinionit për kontroll të trafikut.
Kundër këtij ndëshkimi, ai parashtroi ankesë. Me këtë rast, lënda u soll para Gjykatës rajonale.
Njeriu mbrohej me argumentimin se grupi Whatsapp-i nuk është publik. Grupi nuk kishte qasje për të gjithë, siç është psh një grup nga Facebook. Bashkëngjitja në grup bëhet vetëm duke i dërguar ftesë administratorit të grupit. “Facebook është një platformë. Whatsapp-i është një shërbim për këmbim mesazhesh”, ka argumentuar mbrojtësi i të pandehurit.
Gjykata rajonale e Arbonit e rastin e vlerësoi ndryshe dhe zviceranin e dënoi me një gjobë prej 500 frangash, informon Albinfo.ch. Përpos kësaj, ai gjithashtu duhet të paguajë edhe shpenzimet gjyqësore në një shumë prej 1.600 frangave.
Vendimi ende nuk është përfundimtar. I akuzuari dëshiron të prolongojë vendimin. Vetëm atëherë ai do të vendosë nëse do ta çojë rastin në gjykatë më të lartë.
Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji: Një vit më parë, një person ishte dënuar për paralajmërimin që kishte bërë në Whatsapp.