Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), i ka tërhequr vërejtjen Operatorit për Furnizimi me Energji (KESCO) dhe atij për Distribuim të Energjisë (KEDS) për ndërprerjen e menjëhershme të reduktimeve dhe mos zbatimin të ndërprerjeve të planifikuara të energjisë elektrike në emër të mirëmbajtjes gjatë sezonit të dimrit, me përjashtim të mirëmbajtjeve të domosdoshme pa të cilat mund të rrezikohet sistemi apo siguria e furnizimit me energji elektrike.
ZRRE me anë të njoftimi për media thotë se ka konstatuar se KESCO dhe KEDS janë duke aplikuar reduktime të ashpra të furnizimit me energji elektrike në shumë pjesë të vendit.
“Gjatë procesit të vazhdueshëm të monitorimit të furnizimit me energji elektrike, ZRRE ka konstatuar se KESCO dhe KEDS janë duke aplikuar reduktime të ashpra të furnizimit me energji elektrike në shumë pjesë të vendit. ZRRE vlerëson se veprimet e tilla të KESCO/KEDS lidhur me reduktimet e energjisë elektrike janë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, si dhe në kundërshtim me vendimin e Bordit të ZRRE-së V_1065_2018 të datës 30 tetor 2018. ZRRE ka rikujtuar KEDS-it dhe KESCO-s edhe njëherë se gjatë përcaktimit të të hyrave të lejuara maksimale për të gjithë sistemin e energjisë, përfshirë prodhimin dhe importin, ka lejuar mjete financiare të mjaftueshme për mbulimin e kostove për furnizim të rregullt (pa reduktime) me energji elektrike për të gjithë konsumatorët. Me këtë rast, ZRRE i ka tërhequr vërejtjen KEDS-it dhe KESCO-s se në rast të mos zbatimit të këtyre kërkesave, në përputhje me dispozitat ligjore të nenit 55 dhe 57 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë dhe Rregullës mbi Masat Administrative dhe Gjobat, do të aplikoi masa adekuate”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.