Një incident serioz është shënuar në orët e para të 21.11.2025 në rrugën “Miruete Maksutaj” në Prishtinë, ku dy vetura janë djegur plotësisht dhe një e tretë është dëmtuar si pasojë e zjarrit, ndërsa dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme.
Rreth orës 01:25 është raportuar se një veturë po digjej në këtë lokacion, ndërsa në vendngjarje njësitet policore kanë konstatuar se ishin duke u djegur dy vetura: VW Golf me targa 01-815-OL dhe VW Polo me targa 01-599-IO, ndërsa si pasojë e flakëve është dëmtuar edhe vetura tjetër VW Golf me targa 01-899-OO.
Palët ankuese janë intervistuar në vendngjarje. V.B ka deklaruar se vetura e saj VW Golf ishte duke u djegur dhe se dëmi i shkaktuar kap vlerën rreth 10 mijë euro. I. H ka konfirmuar se vetura e saj VW Polo ishte djegur pothuajse tërësisht, me dëm të vlerësuar rreth 5 mijë euro. Ndërsa I. H ka deklaruar se vetura e saj ishte dëmtuar nga zjarri, me vlerë dëmi rreth 2 mijë euro.
Fillimisht rasti ishte evidentuar si aksidental, por më 21.11.2025 rreth orës 09:00, njësia e hetimeve dhe eksperti i zjarrit kanë dalë në vendngjarje dhe pas analizimit të kamerave të sigurisë është vërejtur se një person i panjohur i kishte vënë flakën veturave.
Prokurori kujdestar, e ka rikualifikuar rastin si “Zjarrvënie”, ndërsa hetimet janë në vazhdim për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.






