Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i është kundërpërgjigjur sot deklarimeve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryetarit të saj, Bedri Hamza, lidhur me zhvillimet e fundit brenda degës së PDK-së në Drenas.
Në reagimin e tij, Lladrovci thotë se “mësimi nga Drenasi nuk pati efekt”, ndërsa kritikon disa eksponentë të partisë për, siç thotë ai, “ligjërata koti” dhe mungesë reflektimi.
“Reflektimet në opinion nga ndonjë eksponent i lodhtë me ligjërata koti, apo nga z. Hamza që synon të barazojë shkakun dhe pasojën. Kjo nuk është rrugë për ta fuqizuar partinë as degën”, shkroi ai.
Lladrovci thekson se uniteti është kusht i domosdoshëm për fitoren e PDK-së dhe për ndryshimin e gjendjes në vend.
“Uniteti është zotim i përkushtimit për qëllime më të larta se fati i një dege apo individi. Uniteti është kusht i fitores për ta ndryshuar gjendjen e Kosovës, e cila qëndron mbi çdo sakrificë tonën”, deklaroi ai.
Ai shtoi se PDK ka nevojë për ridefinim të qasjes politike dhe organizative, duke theksuar se partia duhet të udhëhiqet me “gjuhën e fitimtarëve” dhe me vizion pa kushte.
Sipas Lladrovcit, “shkurtpamësia politike duhet të largohet nga partia e krijuar nga heronjtë e luftës dhe paqes”, ndërsa paralajmëroi se keqbërësit dhe “bedelët politikë” mund të mbesin si shenjë dalluese e partisë nëse nuk ndryshohet kursi.






