Lokale - eSIMy

Nexhmi Rudari, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Podujevës, njëheri edhe kandidat në zgjedhjet komunale nga LDK-ja, ka thënë se në periudhën sa ka qenë në krye të Komunës e ka menaxhuar shumë mirë situatën me COVID-19.

“Janë duke u bërë gati tetë muaj që jemi duke u ballafaquar me këtë sfidë globale. Mendoj se menaxhimi i situatës me COVID-19 në komunën tonë është i mirë”.

“Ne kemi kërkuar që të iu mundësohet qytetarëve testi për COVID-19 në Podujevë. Kemi Qendrën për COVID dhe Qendrën Emergjente ku jepen trajtime për pacientët që i takojnë nivelit parësor, ata me gjendje më të rëndë dërgohen në klinikat e QKUK-së. Deri tani kemi pasë mbi 1100 raste pozitive, kemi mbi 770 të shëruar, 353 raste aktive dhe 33 të vdekur”, ka thënë Rudari.

Rudari në Info Magazine, në debatin me kandidatët për kryetar komune nga tjerat parti, ka deklaruar se akuzat e tyre ndaj tij sa i përket menaxhimit të pandemisë janë të pabaza, njofton Klan Kosova.

“Jemi në një kohë fushate, kritikat bëhen edhe në mënyrë paushalle, pa pasë fakte. Qytetarët janë ata të cilët e vlerësojnë se çfarë po bëhet në këtë kohë pandemie në komunë. Ne e presim shumë shpejt ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë. E kemi të hapur konkursin e SHSKUK-së, për të punësuar mjekë dhe specialistë në këtë spital”.

“Shumë shpejt presim të zgjedhim edhe drejtorin e Shëndetësisë dhe drejtorin e QKMF-së kryesore. Ne për momentin këto dy pozita i kemi me ushtrues detyre dhe janë duke u kryer funksionet që do të duhej”.

Ai ka theksuar se i kanë ndihmuar sa kanë pasë mundësi bizneset e dëmtuara nga pandemia në këtë qytet.

“Bizneset të gjitha i kam liruar nga taksa komunale dhe nga tatimi i qerasë për shfrytëzimin e hapësirës komunale. Jam takuar vazhdimisht me pronarët e bizneseve, kërkesat e disa prej tyre i kamë adresuar në Qeveri. Një pjesë e bizneseve janë ndihmuar nga qeveria dhe kanë marrë subvencione, ne i kemi ndihmuar vetëm fermerët me fond nga komuna me aq sa kemi pasë mundësi”.

Rudari ka treguar dhe planet e LDK-së për katër vitet e ardhshme nëse i fitojnë sërish zgjedhjet.

“Atë çfarë kandidatët e partive tjera po e premtojnë unë jam duke e realizuar”.

“Buxheti për vitin 2021 për Podujevën është i miratuar në Kuvendin e Kosovës, vlera e tij është mbi 23 milionë euro. Ne vazhdimisht takohemi me qytetarë dhe i shikojmë nevojat e tyre, pas kësaj shikojmë se ku do të investojmë dhe punojmë, pra aty ku janë nevojat e tyre”.

“Jemi duke menduar që shumicën e fshatrave të Podujevës t’i pajisim me ndriçim publik, rrugët i kemi shumicën të asfaltuara do të punojmë edhe në ato rrugica të vogla që kanë mbetur, po ashtu edhe me kanalizimet”.

“Jemi në përfundim të dy shkollave dhe do të punojmë edhe në ndërtim të shkollave të tjera ku ka nevojë”, ka thënë Rudari.