Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e radhës do të miratojë procedurën e veçantë për votuesit me Covid-19 dhe në vetizolim, për zgjedhjet për kryetar të komunës së Podujevës dhe Mitrovicës së veriut.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se kanë pranuar nga ministria e Shëndetësisë përgjigjen për masat të cilat duhet t’i ndërmarrin që tu mundësojë votimin të infektuarve me Covid-19 apo edhe të atyre të cilët janë në vetizolim.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë përgjigjen lidhur me kërkesën për masat të cilat duhet t’i ndërmarrë Komisioni Qendror i zgjedhjeve që tu mundësojë votimin e qytetarëve, të drejtë vote të cilët janë të infektuar me Covid-19 apo edhe të atyre të cilët janë në vetizolim”, ka bërë të ditur Elezi.

Ai më tej ka sqaruar se do të hartojën udhëzues të veçantë për qytetarët me të drejtë vote të cilët pra nuk do të mund të shkojnë në vendvotimin.

“KQZ-ja në përputhje me rekomandimet profesionale do të hartojë Udhëzim të veçantë edhe për këta qytetarë me të drejtë vote të cilët pra nuk do të mund të shkojnë në vendvotimin e tyre në ditën e zgjedhjeve pikërisht për shkak të masave kufizuese”, ka deklaruar Elezi.

Elezi ka sqaruar se udhëtuesi do të përcaktojë mënyrën e regjistrimit dhe konfirmimit të votuesve nga kjo kategori masat që duhet t’i zbatojnë ekipet mobile lëvizëse.

“Në mbledhjen e radhës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratojë Udhëzimin e veçantë përmes së cilit do të qartësohen të gjitha çështjet të cilat kanë të bëjnë më këtë proces, pra me votimin e qytetarëve më të drejtë vote të cilët janë të infektuar me Covid-19 apo të cilët janë në vetizolim e që u takojnë këtyre dy komunave”, ka thënë Elezi për EO.

“Së pari përmes këtij Udhëzimi do të dihet mënyra e regjistrimit dhe konfirmimit të votuesve nga kjo kategori dhe pastaj së dyti janë masat që duhet t’i zbatojnë ekipet mobile lëvizëse të cilat do të shkojnë në ato adresa të votuesve si dhe masat të cilat duhet t’i zbatojnë vetë këta votues”, ka thënë ai.