Anëtari më i vjetër i Kuvendit të Podujevës, Hilmi Hoxha, ka thirrur seancës e radhës për zgjedhjet e kryesuesit të këtij institucioni, raporton Llapi.info.
Kjo seancë, ku do të tentohet të zgjidhet edhe Komiteti për Politikë dhe Financa do të mbahet më 29 dhjetor.
Ende nuk dihet nëse ekzekutivi i ka numrat për të zgjedhur kryesuesin e Kuvendit. Në seancën e javës së kaluar, ka dështuar zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Kjo, pasi që opozita, LDK, PDK dhe AAK, kanë bojkotuar, duke bërë kështu që të mbyllen punimet në mungesë të kuorumit.
Për këtë, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar edhe zgjedhje të jashtëzakonshme për Kuvendin Komunal. Në anën tjetër, LDK-ja, e cila ka numrin më të madh të asamblistëve, ka kërkuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, t’i bëjnë zgjidhje konstituimit të Kuvendit.
Pas bojkotimit të seancës, në një fjalim, i pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka thënë se nuk do të ketë bashkëpunim me asnjë subjekt politik.
“Partia që ka marrë votën për të udhëhequr me Kuvendin e lëshon mbledhjen, e në një far forme pamundëson vazhdimin e punës së Kuvendit për arsyet që ata e dinë. Ne si VV, po shihet këtu nga prezenca jonë se nuk kemi marrëveshje me asnjë subjekt politik. Jemi subjekt që i kemi fituar zgjedhjet i vetëm dhe vazhdojmë ta kryejmë punën tonë, në mënyrë që të kontribuojmë në funksionalizimin e institucioneve të Kuvendit të Podujevës. Është për keqardhje që subjektet politike e lëshojnë sallën. Tash edhe opinioni e sheh se kush me kë është të koordinuar. Po shihet se ne si VV s’kemi bashkëpunim me askënd, përveç me qytetarin”, ishte shprehur Bulliqi./Llapi.info






