Futbollisti i Përfaqësueses së Kosovës, Arbër Zeneli, nuk ka pranuar t’i bashkohet skuadrës turke, Fernerbahçe. Lojtari i Heerenveenit të Holandës synon të luajë për ndonjë skuadër më të fortë në Angli, Spanjë, Francë, Gjermani apo Itali.

Zeneli, 23-vjeçar, me Heerenveenin ka kontratë deri në qershor të këtij viti. Ai pritet të largohet gjatë këtij muaji nga skuadra holandeze, pasi nëse nuk shitet tash nga Heerenveeni, atëherë në verë do të ikë pa dëmshpërblim, transmeton Koha Ditore.

“Shumë tifozë të Fenerbahçes më janë drejtuar me mesazhe për ta pranuar ofertën të luaj për klubin e tyre të zemrës. Me gjithë respektin për klubin dhe tifozët, unë dua të shkoj në liga më të mëdha. Ambiciet e mia janë Anglia, Spanja, Franca, Gjermania apo Italia, edhe pse nuk i dihet se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Zeneli.

Sulmuesi i krahut në një intervistë dhënë “fcupdate.nl” ka treguar se është tifoz i Milanit.

Zeneli ishte pranë transferimit te skuadra italiane Genoa gjatë verës së vitit të kaluar. Por transferimi i tij u bë i pamundur dhe Zeneli mbeti pjesë e Heerenvenit. Këtë edicion me fanellën e skuadrës holandeze shënoi tre gola dhe kontribuoi me dhjetë asistime