Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i shoqëruar edhe nga nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari kanë vizituar sot shkollën “Afrimi e Fahriu” në Lluzhan të Podujevës, për të parë nga afër respektimin e masave ndaj virusit korona, njofton Llapi.info.
Me rastin e kësaj vizite, Zemaj sërish ka apeluar tek fëmijët dhe prindërit që t’u përmbahen rekomandimeve dhe masave mbrojtës ndaj COVID-19.
“Në aktivitete të ndara, bashkë me nënkryetarin e Komunës së Podujevës, z. Nexhmi Rudarin dhe deputetët, vizituam Shkollën “Afrimi e Fahriu” në Lluzhan, ku pamë respektimin e masave anti Covid, në hapësirat shkollore. Masat e ndërmarra, ishin në nivelin e duhur. Prindër të dashur, grumbullimet tuaja gjatë përcjelljes së nxënësve në oborr të shkollave, janë panevojshme. Gjatë sjelljes dhe marrjes së fëmijëve nga shkolla, ju lutem mos u grumbulloni sepse nuk e ndihmoni fëmijën tuaj as nxënësit tjerë. Përkundrazi”, ka shkruar ai.
Kreu i MSH-së ka vizituar edhe ambulanten në këtë fshat, derisa ka falënderuar personelin mjekësor për përkushtimin e pa ndërprerë gjatë 24 orëve në shërbim të qytetarëve./Llapi.info






