Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se sot është mbajtur mbledhja e komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me koronavirus COVID-19.
Zemaj ka treguar se në këtë takim është diskutuar edhe situata rreth pandemisë në vendin tonë.Sipas Zemajt, bazuar në të dhënat nga IKSHPK dhe SHSKUK, në 2-3 javët e fundit kemi një rënie të lehtë graduale të numrit të personave të infektuar nga COVID-19, gjithashtu edhe një rënie domethënëse të numrit të pacientëve të spitalizuar në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme.
“Shpresojmë që kjo rënie e numrit të infektimeve të reflektojë edhe me rënie të numrit të të vdekurve, që mbetet ende shqetësim i lartë sa i përket menaxhimit të COVID-19”, është deklaruar ai.
Tutje Zemaj, për rënien e numrit të të infektuarve, ka thënë se është rezultat i zbatimit të masave të Qeverisë në një nivel më të mirë nga qytetarët, sidomos bartjes së maskës mbrojtëse.“Duhet të theksojmë se rënia e numrit të infektuarve është rezultat i zbatimit të masave të Qeverisë në një nivel më të mirë nga qytetarët, sidomos bartjes së maskës mbrojtëse, falë edhe përkushtimit të Policisë së Kosovës dhe inspektorateve përgjegjëse, të cilët përmes punës në terren kanë kontribuar në këtë drejtim, pa lënë anash edhe fushatat informuese që bartjen e maskës e kanë promovuar, përveç si mbrojtje, dhe si një lloj kulture shëndetësore.
Ne kërkojmë që më këto masa të vazhdohet edhe më tej, pa rënie të kondicionit në punë, duke i dhënë rëndësi gjithashtu edhe ruajtjes së distancës si një masë tjetër mbrojtëse kundër Covid-19. Te kjo pikë jemi ende keq, si në gastronomi ashtu edhe në veprimtari të tjera”, thuhet në publikim.