Zelanda e Re ka raportuar rastet e para me koronavirusin e ri pas më tepër se 100 ditëve pa virus, duke kthyer qytetin më të madh në izolim.
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Arden, ka njoftuar për katër rastet e reja në Auckland dhe ka njoftuar se do të aplikohen kufizimet për atë zonë nga mesi i ditës së mërkurë.
Arden ka thënë se do të vendosen masat e Nivelit 3 në qytet, që nënkupton se qytetarëve do t’u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa baret dhe bizneset tjera do të mbyllen.
Ajo ka thënë se pjesa e tjetër e vendit do të ngrihet në kufizime të Nivelit 2.
Autoritetet kanë zbuluar katër raste të reja me koronavirus në një shtëpi nga burime të panjohura, rastet e para të përhapjes brenda vendit në 102 ditë.
“Këto tri ditë do të kemi kohë të vlerësojmë situatën, të marrim informata, të sigurohemi që të gjurmojmë kontaktet dhe të dimë më tepër për rastet e të marrim vendime”, ka thënë Arden.
Zelanda e Re është marrë si shembull për mënyrën se si ka menaxhuar situatën me pandeminë. Zelanda e Re ka regjistruar në total 1573 raste dhe 22 të vdekur.






