Kryetari i Partisë Euroatlantike, Milaim Zeka ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës është duke bërë lojë sa i përket arritjes së një koalicioni qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas Zekës, është kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ai i cili nuk e dëshiron arritjen e koalicionit.
Zeka po ashtu ka thënë se kjo situatë e krijuar politike më së shumti i konvenon Partisë Demokratike të Kosovës, që sipas tij, nuk duan stabilitet dhe krijimin e qeverisë së re.
“Mendoj që e gjithë kjo është e politikës së kaluar, ku bashkëfajtorë është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Dhe kemi ardhë në një situatë ku pavarësisht largimit të Partisë Demokratike të Kosovës nga skena politike po shihet që krejt mekanizmat për shkatërrimin e shtetit i ka në dorë, në radhë të parë gjykatat e pavarura janë paterica ekskluzivisht të PDK-së, gjithashtu mendoj që në të njëjtin teren është edhe avokati i popullit është ashtu sepse shkuarja e ligjit të pagës në Gjykatën Kushtetuese, i konvenon vetëm PDK-së, dhe qarqeve që janë kundër stabilitetit dhe krijimit të qeverisë së re. LDK është duke luajtur rolin sulmo dhe tërhiqu, një hap para një mbrapa. Unë mendoj që kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është kundër këtij koalicioni”, ka thënë Zeka për Telegrafin.
Ndryshe, Zeka ishte pjesë e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës si deputet i Nismës, më pas ai braktisi këtë parti duke formuar partinë e tij, por të cilët në zgjedhjet e 6 tetorit nuk arritën të kalojnë pragun zgjedhor.