Këtë projekt për të pasur në Portin e ri të Porto Romanos dhe një kalatë të posaçme ushtarake kryeministri Edi Rama do ta diskutojë të mërkurën e 13 korrikut me Sekretarin e Përgjithshëm të aleancës në një takim në selinë e NATO-s në Bruksel.

Qeveria shqiptare kërkon që të ndihmohet financiarisht nga aleanca për këtë nyje ushtarake në Detin Adriatik, por ende nuk ka një shifër konkrete sesa mund të kushtojë ndërtimi i një kalate e cila të kënaqë të gjitha nevojat ushtarake të NATO-s.

Televizioni Klan ka mësuar se projekti fillestar parashikon që kjo zonë ushtarake brenda portit tregtar të Durrësit të zërë një sipërfaqe prej 50 ha, ndërsa vetë kalata të ketë një kapacitet prej 800 metër linear, me një thellësi 13 metër në mënyrë që të mund të ankorohen dhe luftanije të mëdha.

Ndërtimi i kësaj baze është diskutuar dhe në samitin e fundit të NATO-s nga Kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, çka mësohet se ideja nuk ka kaluar pa vëmendje. Kjo është dhe arsye përse u dakordësua për takimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO dhe kreut të qeverisë shqiptare.

Nëse do të realizohej ky projekt do ta kthente Porto Romanon në një pikë kyçe ushtarake për lidhjen mes Europës Lindore dhe asaj Perëndimore.

Baza do të mundësonte dhe stërvitje ushtarake të forcave të NATO-s të përmasave të Defender 2021, stërvitja më e madhe e forcave ushtarake të drejtuar nga SHBA me pjesëmarrjen e ushtrive të disa shteteve e zhvilluar në Detin Adriatik.