Personi arrestuar nën dyshimin për trafikun e rreth 200 kilogramëve substancë narkotike është Sylejman Jusufi. Arrestimi i tij është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pas një operacioni të koordinuar në rajonin e Prishtinës.
Burime të sigurta të Insajderit brenda institucioneve të sigurisë bëjnë të ditur se në kamionin që po drejtonte Jusufi është gjetur dhe sekuestruar sasia rekord e narkotikëve, që dyshohet të jetë një përzierje e llojit kanabis dhe substancave analoge me efekte psikotrope.
Sipas informacioneve që ka siguruar Insajderi, ngarkesa e drogës kishte destinacion final shtetin e Serbisë, ku dyshohet se do të shpërndahej përmes një rrjeti më të gjerë trafiku ndërkombëtar.
Operacioni është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë ndërinstitucional mes: Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Doganës së Kosovës, Prokurorisë Speciale, dhe Policisë së Kosovës.
Ky aksion konsiderohet ndër më të suksesshmit e këtij viti në luftën kundër trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve.
Burimet brenda organeve të hetuesisë theksojnë se AKI ka pasur rol kyç në zbulimin dhe ndjekjen e rrjetit, përmes monitorimit të qarkullimit të mallrave të dyshimta dhe ndërlidhjeve të mundshme me grupet kriminale në rajon.
Në muajt e fundit janë vërejtur rezultate konkrete nga bashkëpunimi i ngushtë mes AKI-së dhe Prokurorisë Speciale, me disa operacione të ndërlidhura që kanë çuar në prangosjen e figurave të njohura të botës së krimit në Kosovë dhe jashtë saj.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë, ndërsa Prokuroria Speciale nuk ka dhënë ende detaje shtesë mbi rrjetin e mundshëm pas arrestimit të Jusufit.






