Rasti i veturës së raportuar si të vjedhur në qendrën tregtare Park Plaza në Podujevë ka marrë një kthesë të papritur. Vetura e tipit VW Caddy, ngjyrë e bardhë, e cila ishte raportuar e zhdukur më 03 maj 2025, është gjetur dhe kthyer tek pronari – pas një ngatërrese të pazakontë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Gazeta Sinjali, njësia e hetimeve e Stacionit Policor në Podujevë, pas pranimit të rastit, ka ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe ka identifikuar të dyshuarin.
Gjatë intervistimit, është zbuluar se i njëjti e kishte marrë veturën gabimisht, duke e ngatërruar me një veturë të ngjashme që i përkiste vëllait të tij dhe që ndodhej në të njëjtin parking.
Pasi e kishte vërejtur se vetura nuk ishte e tija, i dyshuari është paraqitur vetë në stacionin policor, ku ka deklaruar rastin. Vetura është sekuestruar nga Policia me procedurë përkatëse dhe i është kthyer menjëherë pronarit, F.V, i cili e kishte raportuar rastin si vjedhje në orët e pasdites.
Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, është vendosur që i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt, duke u trajtuar rasti si ngatërresë e paqëllimshme.