Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka reaguar pas raportimit të A2CNN se në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë atë, Albin Kurti dhe Ismet Haxhën, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas informacione të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha. Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje. Më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti.
Në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë se policia e ka paralajmëruar për këtë, derisa e kanë këshilluar të ketë kujdes.
“Po më kanë paralajmëruar polici, më kanë treguar që ka një dyshim lidhur me atentat të mundshëm, prandaj duhet me pas kujdes”, tha shkurtimisht Haliti për Reporteri.net.
Në dokumentin e publikuar nga A2CNN, i dyshuari është Prek Kodra, shtetas shqiptar, i datëlindjes 01.05.1976, derisa theksohet se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve dhe armëve të tjera. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa lëviz në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës.