Xhandarmëria serbe ka vazhduar provokimet ndaj shtetit të Kosovës. Mbrëmë RTK raportoi se nga burimet e veta ka mësuar se ditë më parë, pikërisht me 31 maj të këtij viti në fshatrat e thella të malësisë së Kamenicës një ekip prej katër pjesëtarë kufitarë nga xhandarmëria serbe janë futur në territorin e Kosovës duke lëvizur rreth 8 kilometra nëpër territorin e saj.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Svircë të Kamenicës. Pjesëtarët e xhandarmërisë serbe janë futur në një rrugë malore afër pikës kufitare në ‘Kapi’ rrugë e cila të çon në fshatin Svircë dhe ka lidhje me fshatin Siarinë në Serbi.
Xhandarët serbë kanë lëvizur nëpër territorin e Kosovës më shumë se tetë kilometra, derisa kjo rrugë gjendet rreth dy kilometra në vijë ajrore brenda territorit të Kosovës.
Gjatë lëvizjes së tyre nëpër territorin e Kosovës nuk ka pasur ndonjë akses ose ndonjë ndalesë të qytetarëve, të cilët posedojnë ferma në atë rajon ose merren me prerje të pyjeve, por banorët janë shqetësuar nga veprimi i xhandarmërisë serbe. Ky është një provokim i radhës i shtetit serb ndaj shtetit të Kosovës, pasi kjo nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë.