Banorët e fshatit Dumnicë e Epërme, në Podujevë, jetojnë në kufi me Serbinë. Por, për xhandarmerinë serbe as kufijtë atje nuk po kryejnë punë. Ata shpeshherë po futen brenda territorit të Kosovës. Madje edhe po kidnapojnë fshatarë atje. Express, ju sjell rrëfimin e familjes Osmani, të cilës xhandarmëria serbe para disa muajve ia kidnapoi dy djem.

Kishin dalë që të merrnin dru në mal, por nuk kishin arritur që të ktheheshin për disa ditë në shtëpitë e tyre. Dy vëllezërit Osmani nga fshati Dumnicë e Epërme e Podujevës u kidnapuan nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës, me arsyetimin se ishin afruar shumë afër kufirit.

Parate te cilat i ka paguar familja per lirimin e dy personave
Prej aty, ata u dërguan në stacionin e xhandarmërisë në Kurshumli, e nuk u lëshuan për 12 ditë.

Në këmbim të lirimit të tyre, xhandarmëria kërkonte 3 mijë euro nga familjarët. Gazeta Express, ka qëndruar në shtëpinë e familjes Osmani.

Ruzhdiu e Bislimi, që të dy këta janë marrë nga ana e xhandarmërisë serbe në pranverën e këtij viti. Vëllai i tyre, Raifi, ka shpjeguar për gazetën se si ka ndodhur e gjithë ngjarja.

“Ne e kemi furrën për bukë që gatuajmë. Vëllai ka shku në mal, këtej në territor të Kosovës me marrë dru. Kur shkon ai me marrë rrema, në pjesën në territorin tonë, ata, xhandarmëria, kanë qenë duke ardhur këtej ka zona jonë që është zonë neutrale dhe e kanë zënë vëllain tim, Ruzhdinë”, tregon ai, duke thënë se me vëllezërit e tij ka qenë edhe një person tjetër.

“Vëllai ka qenë bashkë me dy persona të tjerë. Janë ndalë me pushu pak dhe e kanë ndezë një zjarr në zonën neutrale. Aty i kanë zënë xhandarmëria. Prej aty i kanë marrë. Njëri person ka ikë”, tregon Ruzhdiu për Express.

Për gjithë këtë ngjarje, ai thotë se në atë kohë e kishin lajmëruar edhe Policinë e Kosovës. Por, nga ana e këtyre të fundit Ruzhdiu tregon se nuk e kanë marrë ndihmën e nevojshme.

“Ne e lajmëruam policinë tonë. Këta kategorik ishin që veç kemi qenë atje, në zonën e Serbisë. Mirëpo, ne i treguam vendin ku ka qenë zjarri i ndezur, në zonën neutrale, ia treguam traktorin ku ka qenë rreth 40 metra brenda kufirit”, tregon ai

Ky rast nuk ka qenë i vetmi kur xhandarmëria serbe i ka kidnapuar qytetarët kosovarë në atë zonë. Aty para disa viteve ishin rrëmbyer edhe 7 fshatarë të tjerët, lirimi i të cilëve ishte bërë vetëm pasi ishin dhënë paratë e kërkuara nga xhandarmëria serbe.
“Kjo nuk është hera e parë që i marrin banorët tanë. Edhe para disa viteve xhandarmëria i kishin marrë 7 persona’.

E në zonën e cila gjendet rreth 1 kilometër vijë ajrore në kufi me Serbinë, janë rreth 20 shtëpi të banuara me shqiptar, nga aty banorët tregojnë se janë të frikësuar nga prania e xhandarmërisë.

Madje shumë nga banorët e Dumnicës së Epërme thonë se shumë toka u kanë mbetur pa punuar, në kufi me Serbinë. Thonë se nuk po i punojnë për shkak të pasigurisë.