E ardhmja e Milot Rashicës në Bundesligë është e hapur. Për yllin e Werder Bremenit po interesohen shumë klube.

“Para krizës së koronavirusit ishim në kontakt me disa klube, edhe nga Bundesliga. Por, për momentin çdo gjë është heshtur”, ka thënë agjenti i Rashicës, Altin Lala për “Sport1”.

Tash e disa muaj është duke u spekuluar për të ardhmen e yllit të Kosovës te Werderi. Te Werder Bremeni, Rashica ka kontratë deri më 30 qershor të vitit 2022 e në kontratë ka një klauzolë për lirim në vlerëe 38 milionë euro.

Sipas “Der Spiegel”, Werderi po mendon të shesë Rashicën e po ashtu edhe vet futbollisti ofensiv po mendon të largohet nga klubi gjerman.

Sipas revistës gjermane Borussia Dortmundi ka kontaktuar me Werdderin për Rashicën. Raportohet se Dortmundi e sheh 23-vjeçarin si pasardhës për Jadon Sanchon. Te Dortmundi vlerësojnë faktin se Rashica mund të luajë në pozita të ndryshme në sulm.

Pos Dortmundit raportohet se kanë kontaktuar me Werderin edhe klubet e Premier Leagues si Wolverhampton, West Ham United e Aston Villa. E mësohet se edhe Liverpooli, fituesi i Ligës së Kampionëve i stinorit të kaluar, po interesohet për Rashicën.

Mirëpo, plani për të shitur Rashicën pas përfundimit të stinorit për 38 milionë euro, duket se po dështon, pasi vlerat e futbollistëve kanë rënë dukshëm shkaku i krizës së shkaktuar nga koronavirusit. Madje edhe klubet e fuqishme të Anglisë do ta kenë të vështirë të paguajnë 38 milionë euro në afatin e radhës kalimtar.

“Jam i sigurt, se së shpejti, kur të kthehet pak normaliteti, do të ketë lëvizje në këtë temë. Qartë është se Miloti deri në fund të stinorit është plotësisht i koncentruar në mbijetesë në elitë me Werder Bremenin”, ka thënë agjenti i Rashicës, Lala.