Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë priti në takim ish-Kongresistin e SHBA-së, Jerry Weller, takim gjatë të cilit u diskutua rreth mundësive të rritjes së bashkëpunimit dhe shfrytëzimit të mundësive aktuale të të bërit biznes me bizneset amerikane.

Weller shprehu zotimin e tij për të mbështetur Odën Amerikane, si dhe anëtarët e saj në promovimin e tyre në SHBA, bashkë me mundësitë e të bërit biznes para bizneseve amerikane.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, falënderoi Wellerin për gatishmërinë për të mbështetur Odën Amerikane, duke folur për mundësitë e shumta që ofrohen në Kosovë për investitorët amerikanë.

Po ashtu u bisedua edhe për shfrytëzimin më të mirë të Marrëveshjes së Sistemit të Përgjithësuar të Preferencave (GSP) që i mundëson Kosovës eksportimin e mijëra produkteve në SHBA pa iu nënshtruar detyrimeve doganore.