Lokale - eSIMy

Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë, sot ka mbajtur një konferencë për media. Në këtë konferencë, zyrtarët e VV-së, dhanë kritika që sipas tyre, po ballafaqohet Podujeva nga qeverisja aktuale, njofton Llapi.info

Këshilltarja komunale nga ky subjekt politik, Doruntina Hasani, tha se arsimi në Podujevë nuk është parë si prioritet.

“Lëmia jetësore, e cila përcakton kahet e zhvillimit të shoqërisë, është ngulfatur nga dukuri devijante, të cilat i zënë frymën, e nxjerrin nga binarët normal të misionit që ka. Duke u bazuar në buxhetin e dedikuar për këtë sektor, 5.19%, ose 350.000 euro, vijmë në konkludimin se arsimi në komunën tonë nuk është parë si prioritet nga strukturat qeverisëse, nuk i kushtohet kujdesi që kërkohet. Ky sektor shërben për të akomoduar njerëz të caktuar, kryesisht klientelen e strukturave udhëheqëse dhe militantët politik”, tha ajo.

“Kështu mënjanohen kriteret ligjore e profesionale. Politizimi i shkollave paraqitet si ngulfatësi i cilësisë në mësim, si pengesë në menaxhimin e shkollave, avancimin e metodave mësimore. Kuadri udhëheqës zgjidhet jashtë kritereve profesionale, por brenda preferencave politike, gjithherë, duke bërë diskriminim ndaj atyre që s`u përkasin konjukturave pushtetore. Kështu është degraduar në mënyrë drastike misioni i shkollës”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, përveç këtyre, në arsim Podujeva ballafaqohet edhe me infrastrukturë shkollore jo të mirë.

“Dështim kemi edhe tek Infrastruktura shkollore -që është një segment i rëndësishëm në mbarëvajtjen e procesit mësimor.. Ndërtimi i disa shkollave, si objekte fizike, nuk siguron kushtet e duhura për këtë mbarëvajtje, sepse shumica e shkollave ndjejnë mungesën e kushteve elementare. Ky është problem serioz; mungesa e ujit, nyejve higjienike-sanitare, mungesa e ngrohjes cilësore, mungesa e pastërtisë brenda objekteve shkollore, janë dukuri shumë shqetësuese, të cilat pengojnë seriozisht punën normale. Mungesa e hapësirave adekuate për zhvillimin normal të aktivitetit mësimor; mungesa e bibliotekave shkollore, laboratorëve, palestrave, etj, janë problem tjetër që e përcjellë në vazhdimësi shkollat tona. Ambientet përkatëse u mungojnë edhe nxënësve të niveleve të ndryshme, parashkollorët nuk kanë fare kushtet që u nevojiten për aktivitetet e tyre. Nuk kanë ambiente dhe mjete atraktive që i duhen moshës së tyre. Edhe nivelet tjera po ashtu”, tha ajo.

Më tej, Hasani ka përmendur edhe probleme tjera që sipas saj, Komuna e Podujevës i ka anashkaluar, madje edhe duke i rrënuar institucionet arsimore./Llapi.info

Vetëvendosje në Podujevë në konferencë për media, flasin për qeverisjen e Veliut

Publiée par Llapi.info sur Vendredi 28 décembre 2018