Pas përcaktimit të datës se kur do të mbahen zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës, partitë politike kanë filluar përgatitjet për aderimet e reja. Njëri prej tyre i takon partisë së dytë në nivelin qendror, Lëvizjes Vetëvendosje. Sociologu me prejardhje nga Podujeva, Ragip Fetahu është adrimi më i ri i kësaj partie dega në Podujevë, njofton Llapi.info.
Fetahu, magjistër i sociologjisë në Gjermani, këtë e ka bërë të ditur përmes një statusi në llogarinë e tij Facebook ku ka shkruar se edhe zyrtarisht është pjesë e kësaj lëvizje e cila sipas tij është lëvizje e domosdoshme.
“Kam prit e kemi pritur gjatë, për realizimin e ëndrrave që janë themel i një shoqërie të lirë, të pavarur, sovrane dhe demokratike, që janë themel i një shoqërie, që synim ka Evropen.
Sikurse unë edhe ju jemi dëshmitarë të moszhvillimeve, të klaneve, të nepotizmit e familjarizmit në Komunën e Podujevës që nga paslufta” ka shkruar ai.
Sipas Fetahut punësimet klienteliste të cilat e kanë shoqëruar komunën e Podujevës dhe të cilat prodhuan edhe zhgënjim tek qytetarët, ishin treguesit më të mirë të cilët në zgjedhjet e 11 qershorit nxorën VV- në fituese në nivel nacional.
“Sikurse unë edhe ju jemi dëshmitarë të punësimeve mbi baza partiake e klienteliste, që e kanë shoqëruar komunën tonë, si në sferën e arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe në të gjitha fushat tjera. Gjithë kjo situatë prodhon zhgënjim, e gjithë ky zhgënjim prodhon e imponon refuzim. E këtë refuzim e treguat dhe dëshmuat në zgjedhjet nacionale të 11 qershorit, ku VV- ja doli e para në nivel nacional. Këtë rrugëtim të nisur bashkarisht, ta vazhdojmë e ta fuqizojmë me 22 tetor”, ka përfunduar shkrimin e tij Fetahu./Llapi.info