Zyrtarët e lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, në një konferencë për medie kanë adresuar një varg kritikash në drejtim të pushtetit të kësaj komune. Thonë se qeveria në Podujevës është në stilin e “babadimrit pa dhurata” dhe se komunarët janë edhe të korruptuar, njofton Llapi.info
Kryetari i Qendrës së VV-së në Podujevë, Bajram Ajeti, ka thënë se administrata e kësaj komunë është joprofesionale, ka menaxher me precedent penal, duke aluduar në ish-shefin e personelit, Ahmet Ahmeti, i cili ishte dënuar nga Gjykata Themelore për mosekzekutim të vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës së Apelit për kthimin në punë të një zyrtareje komunale.
Sipas tij, moszbatimi i procedurave ligjore e disiplinore, buxheti komunal është dëmtuar për 10 mijë euro. Për këtë, ka thënë se kanë ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
“Komisionet e rekrutimit, ankesave, auditimi e veçanërisht prokurimi instrumente që janë në ndikim direkt nga kryetari duke mos lejuar që të kryejnë punët në pajtim me procedurat dhe ligjin, parimet si të ligjshmërisë, paanshmërisë në pajtim me përshkrimin e punës dhe ligjin. Mos zbatimin e vendimit gjyqësor edhe kur është i plotfuqishëm, shkelje flagrante të Ligjit për qasje në dokumente zyrtare, por edhe nenit 40 të Kushtetutës duke mos lejuar qasje në dokumente. Por edhe parimit të transparencës të përcaktuar me Ligjin mbi Vetëqeverisjen Lokale. Edhe për këtë kemi bërë kallëzim penal”, ka thënë Ajeti.
Sipas tij, punimet në rrugën e qendrës “Zahir Pajaziti”, ua kanë vështirësuar jetën qytetarëve në këtë dimër.
“Nga Lëvizja u kërkuan 2 kontratat e tenderimit për rrugën ‘Zahir Pajaziti’, njëra për meremetim gropash, tjetra për asfaltimin e rrugës në kohë fushate dhe një nga kryesuesi i Kuvendit se a është marrë vendim për shtrimin e rrugës në fjalë. Për dy të parat nuk u lejua qasje në dokumente dhe për të tretën përgjigjja nga kryesuesi i Kuvendit ishte se nuk është marrë vendim, dyshohet se ka keqpërdorim afro 200.000 euro”, është shprehur ai.
“Tani në muajin nëntor fillon rehabilitimi, i të njëjtës rrugë kur është sezoni i dimrit, dhe që ka vështirësuar jetën e qytetareve, por tregon paaftësinë për të planifikuar dhe menaxhuar kryerjen e projekteve infrastrukturore. Por, si duket projektet iniciohen nga klientelizmi biznesor e nuk i bëjnë shërbimet profesionale nëse ka apo nuk lënë të punojnë për shkak të interesave korruptive”, ka thënë tutje ai./Llapi.info