Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë ka mbajtur sot një tryezë për ditën 8 Marsit. Në këtë tryezë u diskutua pozita dhe roli i gruas në familje dhe në institucione, raporton Llapi.info

Të pranishëm në këtë tryezë ishin Asamblistë nga LVV, kryetari i rrjetit të OJQ-së “Demokracia Fillon Këtu” Shemsi Jashari, asamblisti i AAK-së Patriot Rudari. Sipas organizatorit të ftuar ishin edhe partitë tjera por që nuk kanë ardhur.

Kordinatorja e LVV Shemsie Vokrri ishte ajo që e nisi temën në këtë tryezë ku tha se vetëm në 25 ditët e fundit në Podujevë u raportuan nga ‘Llapi.info’ 3 raste të dhunës ku viktimë ka qenë gruaja.

“Kjo tryezë është organizuar nga asamblistët e LLV në Podujevë. Përveç dhunës fizike dhunë në grua ka edhe psikologjike. Po të mos ishte kuota nuk do të kishte përfaqësim nga asnjë grua në komunën e Podujevës, udhëheqja komunale pak ju jep hapësirë grave. Gratë në komunën e Podujevës mund të marrin vetëm ndonjë subvencion në bujqësi por edhe ajo vetëm figuron në emër të saj. Dhuna në komunën e Podujevës është mjaft e theksuar, vetëm sipas një raporti të ‘Llapi.info’ vetëm në 25 ditët e fundit janë emëruar 3 raste të dhunës në familje ku viktimë ka qenë gruaja” tha ajo.

Sipas saj shkak kryesor i dhunës në familje vjen si rezultat i gjendjes së rëndë ekonomike.

“Shkaqet më të shpeshta e dhunës në familje është gjendja e rëndë ekonomike, e që kjo gjendje duhet të ndryshojë kjo ndodh kur ne si gra do të jemi më të lidhura mes veti duke e ndihmuar njëra tjetrën, duke luftuar kundër dukurive negative në shoqëri, duke e edukuar brezin e rinj për barazi gjinore, duke votuar gra për gratë për një përfaqësim institucional jo me kuotë por me meritë për nga puna dhe përkushtimi i saj për vendin dhe kombin. LVV e lartëson rolin e gruas si shtyllë në familje, angazhohet që gruaja të jetë e shkolluar e emancipuar që ti dëgjohet fjala dhe mendimi si në familje ashtu edhe në institucione. Përparimi i një shteti varet sesa do ti kushtoj rëndësi të drejtave të grave dhe luftimit të dhunës kudo dhe në çdo kohë” tha Vokrri.

Kurse, Lirika Maliqi këshilltare e kuvendit komunal në Podujevë në fjalim të saj tha se grave duhet të u jepet hapësirë më të madhe që ato ta shfaqin talentin e saj.

“Në Kosovë 81.1 për qind nuk kanë vende punë, në vitin 2015 sipas statistikave të Kosovës, 5 për qind ka poseduar pronësi si shtëpi apo banesë, ndërsa 4 për qind kanë qenë bartëse të pronësisë bujqësore. Në vendet si Kroaci, Austri dhe Gjermani gratë në pushimin e lehonisë paguhen 100 për qind nga Qeveria, e në Kosovë 70 dhe 50 për qind. Ne duam që çdo vajzë dhe grua të jetë e vendosur dhe asgjë të mos e ndalojë atë drejt arrimit të qëllimit të saj. Grave duhet të u ipet hapësirë, pasi Kosova ka shumë Majlinda Kelmendi nuk u jepet hapësirë të mjaftueshëm që ato të shfaqin talentin e saj. Zhvillimi i plotë i shoqërisë arrihet kur në jetën tonë publike vihet edhe prezenca e gruas.” tha Maliqi.

Kurse këshilltarja Doruntinë Hasani po ashtu nga LVV tha se ka shumë raste në Kosovë ku dhuna ndaj grave është e lartë.

“Përderisa ka dhunë ndaj grave nuk pretendojmë se kemi bërë përparim e nevojshëm. Dallueshmëria e thellë në raporte gjinore e njërës gjini kanë sjell rrjedhime të pakëndshme shpesh herë edhe tragjike duke lënë plagë të pashërueshme, prandaj statistikat e dhunës ndaj gruas janë shumë të larta” tha ajo

Ndërsa kryetari i rrjetit të OJQ-së ‘Demokracia Fillon Këtu’, Shemsi Jashari, shtoi se në Komunën e Podujevës numri i të punësuarve femër nuk kalon 20 për qindëshin.

“Kjo tryezë e tejkalon subjektin e LVV pasi kjo temë nuk është vetëm VV-së por edhe i shoqërisë edhe banorëve të Podujevës. Për të fol për komunën e Podujevës, emërimi i vetëm një drejtori i gjinisë femër flet qartë se nuk mjafton pasi ka komuna tjera që ka 50 për qind të emërimit të grave në drejtori të caktuara. Në komunë tonë del dikun që numri i të punësuarve femër nuk kalon 20 për qindëshin në nivel komune. Por nëse flasim në pozita meragjinale të nivelit të lartë nuk kalon 8 për qindëshin. Caktimi i kuotës gjinore është diskriminim për përfaqësim të femrës. Është dashur që të bëhet kjo kuotë pasi që pasiviteti i theksuar i gjinisë femërore dhe arroganca e gjinisë mashkullore ka bërë që me ligj me u sanksionu ma shumë se për ndryshe kish me mbet në figura më të ulëta në përfaqësim të gruas në jetën publike. Femrat që përfaqësohen në komunën e Podujevës do duhet të tejkalonin nganjëherë edhe inatet e krerëve të partive politike” tha ai.

Ai në fund të fjalimit shtoi se organizatat e OJQ- ve që veprojnë në Podujevë duhen të ftohen në tryeza tjera kur ka të bëjë tema me barazinë gjinore.

“Ajo që ka bë në zgjedhjet e fundit në fushatë gjatë monitorimit të kësaj organizate kemi pas më shumë biseda ku thuhet që Asamblistë të caktuar, por kemi hi ndoshta nuk marrim shumë vota po për shkak të kuotës kalojmë. Për tema ku përfshihen grat te rasti i subvencionet, grandeve të ndryshme e mundësimit, të investojmë më shumë përgatitje profesionale të grave që merren me biznes, e votat që merren në asamble të jenë bashkë në aspektin gjinor. Ai në fund shprehi gatishmërinë që në emër të OJQ-ve që veprojnë në Podujevë të jenë partnerë në temat që ka të bëjë me barazinë gjinore në tryezat tjera.” ka përfunduar ai

Ndërsa sociologu Fatmir Fazliu tha se dhuna psikologjike e meshkujve është më e lartë sesa te femrat.

“Për diskriminimin në pasuri ka pak femra që marrin pjesën e tyre që ju takon, diskriminim ka edhe në Arsim e në fusha tjera. E dhuna gjinore ka shumë ka dhunë ndaj femrave dhunë ndaj fëmijëve  në familje etj . Por, ka shumë meshkuj që janë viktima të dhunës si dhuna psikologjike që do të thotë se meshkujt janë viktimë më e shpeshtë e dhunës sesa femrat.

“Sa i përket drejtorisë që mundet me udhëheqë nga femrat, më mirë Drejtoria e Financave të udhëhiqet nga to pasi që janë gatshme në shpenzimin e buxheteve. Kuota gjinore nuk kanë efekt në fuqizimin e rolit të femrës në politikë në përgjithësi për të gjitha subjektet politike, pozita e femrës në familje nuk ka dallime nga ajo në institucione pasi që femra ka pushtet në vendimmarrje në çështje familjare.”  ka thënë ai. /Llapi.info