Dy skandale të vjedhjeve ndodhën për një javë brenda institucioneve në Kosovë. Filimisht mbi 2 milionë u avulluan nga Thesari i Shtetit, ndërkohë që një arkë u vodh në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Pas aferës “2 milionësh”, nga ku u përfshinë edhe zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, është kërkuar dorëheqja e ministres së Financave, Hykmete Bajrami. Por, kjo e fundit po duket e jo e bollshme për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila po kërkon dorëheqjen komplet të Qeverisë Hoti.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi për GazetaBlic ka theksuar se përveç vjedhjes së dy rasteve në institucionet shtetërore të Kosovës, edhe shuarja e Task-Forcës Antikorrupsion, sipas tij, tregon mesazh të rrezikshëm për qytetarët kosovarë.

“Unë pajtohem me qendrimin e subjektit tim politik, ku ne e kemi potencuar përmes një konference për media se nuk mjafton dorëheqja e ministres Bajrami, por duhet japë dorëheqje e gjithë qeveria. Kjo qeveri është e varur nga një votë ilegale dhe rrjedhimisht edhe qeveria është e paligjshme, ndërsa sa i përket mbështetjes popullore kjo është qeveria me legjitimitetin më të ulët. Me skandalin e 2 milionëve të vjedhur dhe me vjedhjen e kasafortës në Agjencionin e Veterinës dhe Ushqimit, si dhe brenda kësaj jave me skandale të mëdha ti e shuan task forcen anti korrupsion, kjo tregon për gatishmërinë e kësaj qeverie për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Mesazhi që ju dërgohet qytetarëve është shumë i rrezikshëm dhe mbjellë frikë tek ta”, ka thënë Bulliqi.

Pas këtyre skandaleve, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka deklaruar se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje.

“Zgjedhjet e reja janë zgjidhja, meqë prej zgjedhjeve të fundit kanë ndryshuar shumë rrethanat dhe është devijuar vullneti popullor, andaj ka nevojë secili insititucion të rilegjitimohet”, ka thënë ai.

Skandali i vjedhjes së mbi dy milionë euro nga Thesari i Shtetit ngjalli reagime të shumta. Për këtë, deri më tani, janë arrestuar dy persona.

Një person që ishte në arrati, i dyshuar për përfshirjen në transferimin e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës në një kompani private, gjatë ditës së djeshme është vetëdorëzuar tek organet e rendit.

Ndërkaq, Ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se transferimi i mbi 2 milionë eurove është bërë përmes një sulmi kibernetik.

“Ky është krim ekonomik, i realizuar përmes një krimi të thellë kibernetik, ku janë bërë qasje të paautorizuara, janë tejkaluar autorizimet ligjore, është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer fjalëkalimet”, ka deklaruar ministrja Bajrami.

Duhet potencuar se pas këtij rasti është edhe nga Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqjen e ministres Bajrami.

“PDK kërkon dorëheqjen e Ministres Bajrami dhe fton organet e drejtësisë që të hetojnë çdo individ që është përfshirë në këtë krim qeveritar”, thuhet pos tjerash në komunikatën e kësaj parite.

Ehat Miftaraj nga IKD, ka hedhur kritika të forta ndaj Qeverisë Hoti, pas skandalit me vjedhjen e mbi dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit, shkruan Gazeta Blic.Në një intervistë për “EXPOSE” – prodhim i Gazeta Blic, Miftaraj thotë se pas nëntë ditësh që ishte raportuar vjedhja e 2 milionë eurove kanë nisur hetimet.

Kjo gjë, sipas Miftarajt, ka pamundësuar bllokimin e xhirollogarive të personave që dyshohet që kanë kryer vjedhjen.