Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në vazhdimësi ka kërkuar nga të gjitha partitë politike në vend për krijimin e një Grupi të Unitetit për përfaqësim në bisedime me Serbinë.

Mirëpo, sot deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sfeçla ka kundërshtuar idenë e Presidentit Thaçi, edhe pse sipas tij, është i rëndësishëm për të biseduar për procesin e dialogut me Serbinë.

Ai shtoi se në këtë Grup të Unitetit, është me rëndësi të mos jetë Presidenti Thaçi.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne të bisedojmë për këtë proces, meqë është shumë i rëndësishëm, por po ashtu është e rëndësishme që në këtë grup mos të jetë Hashim Thaçi. Ne kemi një përvojë shumë të rënd në të kaluarën me të, me udhëheqjen e negociatave dhe me gjithë atë çfarë i ka sjellë vendit, sidomos dekadën e fundit… Unë kur përmenda përvojën e keqe që kemi me Thaçin, mendova në atë që ai është një person që assesi nuk mund t’i besojmë. Njeriu që po tenton ta kidnapoj këtë temë për të mirën e tij, me idenë e shtyrjes së arrestimi nga Gjykata Speciale nuk është për t’i besuar as për procesin e as për rezultatin final”, ka thënë Sfeçla.

Ai për KosovaPress ka shtuar se çdo rezultat i kësi lloj bisedimeve me palën serbe, është i pa favorshëm për Kosovën.

“Rezultat mund të ketë por ky rezultat në bazë të përvojës do të jetë i tmerrshëm nëse ne lejojmë që Hashim Thaçi apo njerëzit rreth tij bëjnë çfarë donë me këtë proces, por edhe me Kosovën në përgjithësi. Në çfarë do grupi që Hashim Thaçi mendoj që ta udhëheq, Lëvizja Vetëvendosje nuk merr pjesë”, theksoi Sfeçla.

Edhe partitë tjera opozitare janë për arritjen e një konsensusi politik, por jo të jetë Presidenti Hashim Thaçi drejtues i dialogut me Serbinë.