Lokale - eSIMy

Shpejtim Bulliqi i VV-së fitoi mbrëmë me 51,64% të votave në Podujevë, derisa kandidati i LDK-së mori 35,97% të votave, për të rrëzuar kështu “kalanë” e partisë që ka qeverisur me këtë komunë përgjatë 20 viteve, shkruan Llapi.info.

Bulliqi fitoi postin e kryetarit të Podujevës pa pasur fare nevojë për balotazh, duke marrë mbështetje të elektoratit edhe më shumë se sa Agim Veliu në vitin 2017, i cili postin e të parit të komunës e kishte fituar në raundin e dytë.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara mbrëmë nga KQZ, Shpejtim Bulliqi i VV-së ka marrë 51.64 për qind të votave, Nexhmi Rudari i LDK-së 35.97 për qind të votave, ndërsa Naim Fetahu i PDK-së 12.40 për qind.

Por, kësaj radhe, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka garuar vetëm kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Menjëherë pasi u emërua ministër dhe dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Podujevës, Agim Veliu bëri koalicion me tri parti tjera. Veliu “zgjati” dorën e koalicionit me AAK-në e Ramush Haradinajt, Partinë e Drejtësisë dhe Ballin Kombëtar.

“Me kryetaren e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – Dega në Podujevë, zonjën Mrika Thaqi, sot nënshkruam marrëveshje bashkëpunimi. Sipas marrëveshjes, AAK me të gjitha strukturat dhe anëtarësinë e saj do ta mbështesë kandidatin e LDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudarin”, pati thënë Veliu, derisa publikoi pamje duke nënshkruar marrëveshjen.

Njëjtë Veliu veproi edhe me Esat Ejupin e Partisë së Drejtësisë dhe Ballin Kombëtar.

Humbjen e zgjedhjeve e pranoi edhe ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu.

“Ne i kemi humbur këto zgjedhje, ky është vendimi i sovranit”, ka thënë Veliu.

Pas fitores së VV-së, reagon zyrtarë të kësaj partie.

“Sonte ka fituar Podujeva, qytetari i saj, i cili fitoi vendosi për Bulliqin kryetar të ri. Këtu po fillon Lëvizja Vetëvendosje dhe qeverisja e mirë. Kjo nuk është zgjedhje, kjo që ka ndodhur sonte është referendum. Jo vetëm sonte, por edhe në ardhmen do ketë referendume. Do ketë referendum sepse populli është përcaktuar për Vetëvendosjen. Ju falënderoj të gjithë juve dhe gjithë ata që janë në shtëpi të tjerët. Nuk ka fituar Shpejtimi, por keni fituar ju. Ne nuk po e marrim komunën, por po ua kthejmë juve komunën”, tha mbrëmë Kurti para qindra qytetarëve llapjanë.

Reagime pati edhe nga deputetë, aktivistë të VV-së, të cilët me ngulm kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve nacionale.

“Sa më shumë që injorojnë mesazhin dhe vullnetin e popullit, aq më keq do ta pësojnë në zgjedhjet e ardhshme nacionale e lokale”, ka thënë ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu./Llapi.info