Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë ka akuzuar partinë që udhëheq me këtë Komunë, LDK-në, për punësime të jashtëligjshme, raporton Llapi.info.
Në një aksion simbolik të zhvilluar përpara kësaj komune, VV ka shpalosur disa raste të punësimeve të familjarëve të zyrtarëve të lartë komunalë.
Këshilltari komunal nga radhët e këtij subjekti politik, Avni Fetahu, duke e quajtur shkelje ligjore në disa kontrata që ka bërë kjo komunë, në të cilin është gjetur edhe nga Auditori i Përgjithshëm, ka akuzuar pushtetin akutal se s’po e sjell në Kuvend këtë raport.
“Është shqetësuese se si shihet në gjetjet e Auditorit, nënshkruhen 30 kontrata pune duke e shkelur ligjin dhe duke i tejkaluar edhe afatet ligjore rreth kontratave që janë mbi vepër. Në të njëjtën kohë, nga 179 kontrata të lidhura prej Komunës së Podujevës, vetëm 5 prej tyre janë që e kanë paramasën dhe parallogarinë”, ka thënë Fetahu,
“Vetëm në një rast të tillë që e ka gjetur Auditori i jashtëm, komuna e Podujevës është dëmtuar me 75 mijë e 670 euro në projektin e ndërtimit të trotuareve në disa fshatra. Me këtë shumë do të mund të ndërtoheshin së paku 5 shtëpi”, tha Fetahu.
Fetahu ka përmendur edhe që Podujeva gjendet në vendin e 33 në listë, ku mbrapa lë vetëm komunat si Leposaviqi e Zubin Potoku, për nga niveli i performancës.
“Një shqetësim tjetër i cili po e preokupon qytetin është edhe punësimi. Paramendoni sa studentin e kemi me fakultet dhe master edhe ata nuk po mund të gjejnë vend pune, sepse këta të dy që po i shihni (Agim Veliu dhe Nexhmi Rudari) e kanë humb kontaktin me qytetarin për jetën reale dhe janë duke e shfrytëzuar vetëm përmes Facebook-ut dhe selfive dhe duke punësuar të afërm dhe familjarë të tyre. Hiç më larg se 50 metra nga këtu është shkolla “Shaban Shala”, ku është i vendosur u.d. i drejtorit vëllai i nënkryetarit aktual, i cili pretendon të bëhet edhe drejtori i kësaj shkolle”, ka thënë ai.
Sipas tij, Komuna e Podujevës ka bërë eliminimin e operatorëve ekonomikë me oferta më të lira, kështu, siç ka thënë këshilltari i VV-së, ka dëmtuar edhe buxhetin komunal./Llapi.info






