Lëvizja Vetëvendosje mbajti konferencë për media, lidhur me Marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë. Kësisoj, ka thënë se është koha për të nisur mocionin për rrëzimin e Qeverisë Hoti, dhe se qeverisja e ardhshme e Lëvizjes Vetëvendosje, siç u shpreh ai, nuk do t’i qëndrojë prapa kompromiseve që u realizuan në Washington.

Glauk Konjufca pati kritika të shumta ndaj kryeministrit Avdullah Hoti, të cilin edhe e quajti të papërgjegjshëm.

“Tërheqja e Hotit prej njohjes ishte lajm i keq, se kjo i bie që i shkon përshtati Qeverisë së Serbisë. Pa njohje nuk mund të zgjidhet asgjë mes Kosovës dhe Serbisë. Çmimin më të madh e kemi paguar gjatë luftës në Kosovë. Kosova nuk duhet të japë asgjë nga shtetësia e vet që të kompensohet me njohje nga Serbia”, tha Konjufca.

Në këtë proces të negociatave, tha Konjufca, për herë të parë, fatkeqësisht, u hap tema e resurseve më të rëndësishme të Kosovës.

“Ujmani përmban 70 për qind të ujit tonë, dhe për herë të parë një kryeministër kaq i papërgjegjshëm pranoi që të jetë temë me Serbinë. Resurset e Kosovës janë të patjetërsueshme. Ai që mendon se mund t’i japë resurse Serbisë, bën krim të madh dhe kjo ndodhi. Gatishmëria e Hotit që të hyjë në zonën e lirë ekonomike të propozuar nga Serbia – është tjetër gabim i madh. Të hiqet kufiri mes Kosovës dhe Serbisë pa e njohur Kosovën. Përderisa Kosova ende nuk është shtet anëtar në BE dhe pa e njohur Serbia Kosovën, hiqen kufijtë”, tha tutje Konjufca.

Sipas Konjufcës, ka shqetësime se pse Kosova të pranojë të pauzojë anëtarësimet në organizata ndërkombëtare.

“Një kryeministër jo legjitim si Hoti, shkon atje e qet një nënshkrim për t’u tërhequr. Nënshkrimi i tij e shkel kushtetutën tonë. E para, kjo është marrëveshje e dëmshme, përmban pika që i ka shtyrë përpara Vuçiqi dhe me këso marrëveshje, qeverisja e ardhshme e LVV-së nuk ndjen kurrëfarë obligimi as ligjor as kushtetues e as ndërkombëtar që t’i qëndrojë prapa kompromiseve të këqija të kryeministri jolegjitim, Avdullah Hoti. Vetëm gjysma e LDK-së dhe gjysma e Nismës përkrahin këtë marrëveshje. Është momenti që të kthejmë mocionin dhe të kuptohet që është koha e duhur të rrëzohet Qeveria”, u shpreh Konjufca.

Ndërkohë, Albulena Haxhiu ka thënë se marrëveshja e nënshkruar nga Hoti në Washington është marrëveshje e dëmshme që e cënon territorin e vendit.

“Ata shkuan për njohje nga Serbia, por u pajtuan ta heqin termin ‘Republika e Kosovës’, që është në kundërshtim me Nenin 4 të Kushtetutës. Termi ndarje ka kuptimin e pjesëmarrjes në menaxhimin e Ujmanit. Është kundër së drejtës ndërkombëtare për ujërat”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka shtuar se një gjë e tillë është në kundërshtim me Nenin 2 të Kushtetutës.

“Kjo pikë e shkel nenin ku flitet për resurset natyrore, që nuk mund të menaxhohen nga një shtet tjetër”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, edhe Albulena Haxhiu shtoi se Marrëveshja në Washington cenon territorin e vendit dhe është e dëmshme.

“Shkuan për njohje nga Serbia por u pajtuan të heqin temin Republika e Kosovës, që është në kundërshtim me nenin 4 të Kushtetutës së Kosovës”, tha ajo.