Lokale - eSIMy

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që Prokuroria të jetë aktive dhe e vëmendshme dhe të mos lejojë fshehjen e gjurmëve për rastin e Astrit Deharit.

LVV në reagimin e bërë ka thënë se po bëhen katër vite dhe ende nuk ka drejtësi për Astrit Deharin, transmeton Telegrafi.

“Vrasësit dhe nxitësit ende nuk kanë dalur para drejtësisë. Dëshmitarët kryesorë të rastit ose janë falur e liruar nga burgu pavarësisht veprave të rënda për të cilat kanë qenë të dënuar, ose nuk janë më gjallë, si rasti i të ndjerit Naser Makolli. Ndërkohë këto ditë presidenti i ka lehtësuar dënimin për tre vite e gjysmë Luz Allakajt, të dënuar për vrasje të një fëmijë, por që i njëjti është edhe dëshmitar në rastin e Astrit Deharit”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Tutje në reagimin e bërë, LVV ka thënë se Prokuroria Speciale po heshtë për rastin.

“Nuk ka asnjë informacion. Çfarë po ndodhë me rastin, deri ku kanë shkuar hetimet? A janë marrë në pyetje të gjithë ata që kanë mundësuar lirimet e dyshimta nga burgu të dëshmitarëve për të hetuar edhe rrethanat tjera që qojnë në zbardhjen e së vërtetës? Ndërkohë, mundësitë për hetimin e vërtetë të rastit po pluhurosen e fshihen edhe qëllimisht nga dita në ditë. Së fundi, pas lirimit me kusht të njërit dëshmitar të rastit, presidenti i vendit ia fali edhe 3 vite e gjysmë dëshmitarit tjetër të rastit Luz Allakaj i cili ishte i dënuar për vrasje të dyfishtë, ku njëra prej vrasjeve ishte e një të mitur 13 vjeçar”.

Më tej, LVV ka thënë se gjatë ditës së djeshme deputetët e kësaj partie kanë kërkuar nga zyra e presidencës dosjen e kërkesës, raportin dhe arsyetimin për faljen e dënimin në këtë rast, dhe se janë në pritje të tij.

“Ndërkohë i bëjmë thirrje prokurorisë që të jetë aktive dhe e vëmendshme për këto veprime të secilës instancë që po provon t’i fsheh gjurmet për rastin e vrasjes së Astrit Deharit, përfshirë edhe presidentin që rastin e Astrit Deharit e ka deklaruar si vrasje. Po të merrej prokuroria me provat e rastit, dëshmitarët dhe palët ndërhyrëse në këtë proces me zellin e njëjtë që merrej ndaj Lëvizjes dhe aktivistëve të saj do të përafrohej drejtësia më herët dhe rasti do të zgjidhej. Drejtësia për Astritin është drejtësia për gjithë shoqërinë”.

Luz Allaku ishte intervistuar më datën 10 nëntor të vitit 2016, pesë ditë pas vdekjes së Deharit. Asokohe, sipas dëshmisë, Allaku kishte dhomën afër asaj të Deharit. E ka konfirmuar vetë në deklaratën e tij dhënë policisë. “Unë Luzë Allakaj në lidhje me vrasjen e Astrit Deharit deklaroj: Më datë 05.11.2016, në orën 14 kemi dalë në shëtitje dhe në orën 15 jemi kthy në dhoma, që gjendeshin në korridorin e krahut A. Unë gjendesha në dhomë me Gj.K, N.Sh dhe K.G në dhomën A 6”, thuhet në procesverbalet që ka siguruar KOHA. Allaku ishte ndër të burgosurit e parë që kanë hyrë dhe e kanë parë në dhomë Deharin.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Astrit Dehari, para 4 vjetësh është gjetur i vdekur në qelinë e tij. Institucionet e Kosovës, e patën cilësuar vetëvrasje, por një ekspertizë mjekoligjore e kryer në një institut mjekësor në Lozanë të Zvicrës pati ngritur dilema edhe për opsione të tjera në këtë rast.