Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, po i kushtojnë shumë Kosovës, duke i lidhur këtë tre liderë me dështimin në anëtarësimin në Interpol.

Në një njoftim për media, Vetëvendosje ka thënë që “Kuvendi i Republikës dhe Qeveria e Kosovës duhet që menjëherë t’ia marrin mandatin e Thaçit në aventurën e tij personale me Serbinë pa autorizim, pa legjitimitet dhe pa kompentencë, po ashtu Republika e Kosovës duhet menjëherë të vendosë reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë”.

Duke kërkuar dorëheqjen e Thaçit, Pacollit dhe Haradinajt, VV-ja ka thënë se ky do të ishte lajmi që do të gëzonte shumicën e qytetarëve të Kosovës.

“E vetmja mënyrë si mund ta ndihmojnë ata Kosovën është duke dhënë dorëheqje. Shumica dërrmuese e qytetarëve të vendit tonë, për të mos thënë të gjithë, do të gëzoheshin sonte, sikur në lajmet e mbrëmjes të dëgjonin se Thaçi, Pacolli dhe Haradinaj kanë dhënë dorëheqje”, thuhet në njoftimin e VV-së.

VV ka thënë se pas dështimit për anëtarësim në Interpol të martën, mijëra serbë kriminelë të luftës po festojnë. Teksa ka kujtuar miratimin në parim të projektligjit për gjykimin në mungesë, VV-ja ka thënë se drejtësia sot u sulmua nga dështimi në Dubai. “Pra, pasojat nuk janë vetëm në fushën e sigurisë por edhe të drejtësisë, jo vetëm për drejtësinë në paqe por edhe për drejtësinë për krimet e luftës”.

Në një konferencë për media, deputeti Xhelal Sveçla foli për luftën e madhe të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol, dhe “për aventurën e Presidentit Thaçi për të vrapuar drejt pazareve me Serbinë”.

“Hipokrizia qëndron në faktin e takimeve Thaçi-Vuçiq. Hashim Thaçi pavarësisht situatës në terren vazhdon të vrapojë pas pazareve me Serbinë e cila si asnjëherë më parë pas shpalljes së pavarësisë po e lufton shtetësinë dhe subjektivitetin e vendit”, tha Xhelal Sveçla.

Ai po ashtu, theksoi se hapi i parë që dëshmon se palët janë të interesuara për një marrëveshje finale është pushimi i “luftës” në terren. “Si është e mundur që shteti i Kosovës të përballet me këso vështirësish në terren a presidenti Thaçi të shkojë e të takohet pa asnjë kusht për Serbinë. Ky president po anashkalon çdo interes të vendit vetëm që personalisht të shpëtojë. Ai e ka zgjedhur rrugën e tij, por nuk duhet dhe nuk guxon ta marrë edhe Kosovën me vete. Ky njeri është zhvendosur kah pala serbe”, thotë Vetëvendosja.

Deputetja tjetër e kësaj partie Albulena Haxhiu ka thënë se presidenti, kryeministri dhe ministri i Jashtëm janë treguar të dobët karshi Serbisë ndaj shteteve që tashmë e kanë njohur Republikën e Kosovës.

“Pazaret territoriale të Thaçit me Vuçiqin që kulmuan te takimi me Putinin, kanë shkaktuar konfuzion te shumë shtete që na e kanë njohur pavarësinë. Në këtë vit ka ndodhur një vetëkontestim i shtetësisë dhe pavarësisë sonë nëpërmjet aventurave absurde të presidentit të Kosovës. Gjithnjë e më pak të tjerët po na marrin seriozisht. Sepse, presidenti i vendit nuk po e merr shtetin tonë seriozisht”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu shtoi se “Thaçi e Pacolli, por edhe Haradinaj, duke u treguar të butë e të dobët karshi Serbisë, karshi Vuçiqit, Daçiqit e Radojçiqit, e kanë dobësuar pozitën tonë si shtet kudo, e kanë stërkequr perceptimin mbi neve. Dobësia e butësia karshi Serbisë nuk interpretohen nga askush si bujari a gjenerozitet yni, por si frikë e si padituri e jona”.