Ministri serb i mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka pyetur se çka është Evropa, nëse ajo nuk i respekton rregullat e saj, duke iu referuar shkeljes së marrëveshjes së CEFTA-s. I ftuar në një program të mëngjesit në njërin nga televizionet serbe, ai bëri thirrje për zbatim të marrëveshjes së CEFTA-s, duke theksuar se Beogradi e ka respektuar këtë marrëveshje gjatë tërë kohës.

“Ne në Serbi e kemi bërë atë që është dashur ta bëjmë, ia kemi dëshmuar shumë gjëra Evropës. Tash është koha që ata ta dëshmojnë veten”, tha ai. Ai shtoi se veprimet e politikanëve shqiptarë të Kosovës nuk mund të parashikohen dhe se ata sillen si UÇK-ja, prandaj e ka përsëritur këtë problem para Bashkimit Evropian dhe ka kërkuar që ta dijë se a janë në gjendje që t’i respektojnë rregullat e veta.

Ai deklaroi se serbët e Kosovës ndodhen në një situatë të vështirë dhe se shteti serb do t’iu ndihmojë atyre. Përveç kësaj, ai tha se ushtria është e gatshme që ta zbatojë çdo urdhër të presidentit serb, i cili është edhe komandant suprem i ushtrisë, për ta mbrojtur jetën e serbëve të Kosovës.

“Ne i kemi siguruar të gjitha parakushtet. Është në dorën e udhëheqësisë së shtetit që të vendosë se a do të ndërhyjmë apo jo”, tha Vulin, i cili theksoi se presidenti Vuçiq është duke u përkujdesur çdo ditë që ushtria të jetë në gjendje të veprojë sipas nevojës për t’i ndihmuar serbët, shkruan “B92”, transmeton Gazeta Express.