Lokale - eSIMy

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se fajtori kryesor për gjendjen në veri të Kosovës, është kryeministri Albin Kurti.

Sipas tij Kurti ka dëshirë të shkaktojë konflikte në Kosovë

“Edhe pse kemi muaj që kemi thënë se Kurti ka vetëm një dëshirë dhe ajo është për të shkaktuar konflikte në Kosovë, pakkush ka dashur të dëgjojë të vërtetën. Ai dëshiron një konflikt mes NATO-s dhe serbëve”, ka deklaruar Vuçiq.

Ai ka thënë se serbët e mbledhur në këto komuna, janë grumbulluar për t’i përdorur ndërtesat e tyre.

Ka shtuar se ndërkombëtarët nuk i kanë mbrojtur serbët.

“Në mëngjes i kanë pritë KFOR-i dhe teli gjembor, është dashur t’u ndalohet hyrja kryetarëve të komunave që Kurti i ka zgjedhur në tualet, apo kabinet, ky kryetari i rremë i Leposaviqit është ende në ndërtesë”, ka theksuar Vuçiq.

Ai ka thënë se dy vetura të njësisë ROSU janë ngjyrosur, porse sipas tij, nuk janë sulmuar.

Vuçiqi ka deklaruar se zyrtarët serbë kanë biseduar me zyrtarët e KFOR-it.

“Serbët kanë kërkuar tërheqjen e Policisë dhe kryetarëve të rremë. KFOR-i ka kërkuar që të kalojnë veturat e ROSU-s. Nuk kanë lejuar dhe kështu ka nisur aksioni i KFOR-it kundër serbëve. Ata kanë nisur t’i godasin”, ka thënë ai, derisa ka shtuar se KFOR-i ka nisur sulmin dhe jo protestuesit.

Ka shtuar se pjesëtarët e njësisë ROSU kanë gjuajtur me armë në drejtim të serbëve, dhe një prej tyre është qëlluar me dy plumba. Ai ka thënë se 52 serbë janë lënduar dhe tre prej tyre janë në gjendje të rëndë.