Presidenti serb, Aleksander Vuçiq, ka konfirmuar se të dielën më 11 nëntor do të takohet me kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Sipas tij, ftesa ka ardhur nga vetë kabineti i Merkel, transmeton lajmi.net.

“Ne kemi marrë kërkesën nga zyra e Merkel se ajo dëshiron një takim bilateral me mua mëngjesin e së dielës. Kjo pra flet për rëndësinë e Serbisë. Njerëzit duhet të jenë të kënaqur”, ka thënë Vuçiq.

Siç raportohet, temë kryesore e këtij takimi do të jetë dialogu Prishtinë-Beograd.

Presidenti serb ka folur edhe për masën e importit të vënë nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe.

Në lidhje me këtë vendim, ai ka thënë se do të kërkojë nga BE-ja që të zbatohet tërësisht marrëveshja e CEFTA-s.

Kujtojmë se gjatë ditës së nesërme pritet të mbahet në Bruksel takimi mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksander Vuçiq.

Kjo është konfirmuar nga vetë zyra e Mogherinit.