Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi se në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit, me vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech, e cila para disa ditëve ka arritur në Serbi.

“Vaksinimi ka filluar në Leposaviq. Sot do të arrijë edhe në Mitrovicë. Kjo vaksinë është pr personat mbi moshën 75-vjeçare. T’i ruajmë së pari ata, e më pas edhe të tjerët”, ka deklaruar Vuçiq të premten në aeroportin ushtarak në Batajnicë.

Ai i ka bërë këto komente pas pranimit të pajisjeve mjekësore nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sistemi shëndetësor në komunat me shumicë serbe në Kosovë funksionon brenda sistemit serb.

Presidenti serb, deklaroi gjithashtu se Serbia do të pranojë këto vaksina në baza javore dhe se pas personave të moshuar që jetojnë në shtëpi kujdesi, vaksinimi do të fillojë edhe për pjesëtarët e stafit shëndetësor.

Me këtë rast, Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Serbisë, Zllatibor Lonçar, tha në Batajnicë se në periudhën e ardhshme në këtë shtet do të arrijnë më shumë se 60,000 doza të vaksinës Pfizer / BioNTech.

“Kontingjenti i parë do të arrijë në 4 janar, pastaj më 11, dhe dinamika e dorëzimit do të jetë për çdo javë. Kjo është e mjaftueshme për shtëpitë e të moshuarve, por do të jetë e mjaftueshme edhe për disa punëtorë shëndetësorë ”, ka deklaruar ai.

Serbia ka nisur vaksinimin brenda territorit të vet një ditë më parë.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq ishte në mesin e personave të parë që janë vaksinuar më 24 dhjetor. Sipas Qeverisë serbe, një gjë e tillë është me qëllim të rritjes së besimit publik në sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës./REL