“Shumë e mjeshtri (zotëriu) ka qenë mbi popullin tonë por vetëm disa prej tyre mbetên”, tha Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një kundërpërgjigje ndaj ministrit të brendshëm, Xhelal Sveçlës, i cili ka thënë se Kosova qeveris mbi vendin e vet, transmeton gazeta online Reporteri.net.

Vuçiç, pas takimit me presidenten hungareze, Katalin Novak, tha se “se sa do të qëndrojnë këta mjeshtër” referuar autoriteteve kosovare, “do ta shohim”.

“Ne nuk i referohemi menaxhimit por ligjit ndërkombëtar dhe do të mbështesim popullin tonë. Kjo është përgjigja ime”, tha Aleksandër Vuçiç, raportoi “Danas”.

Vuçiç tha se qëllimi i Kosovës është i bazuar në dëshirën për të dominuar, dhe se “ndjehet keq” që “Kosova s’ka dëgjuar asgjë për Marrëveshjen e Brukselit, Rezolutën 12/44, Kartën 3e OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar në përgjithësi”.

Mes tjerash presidenti serb tha se të enjten i paralajmëroi përfaqësuesit dhe negociuesit ndërkombëtar të mendojnë se për çfarë po vijnë në Beograd, sepse, siç tha ai, “diçka e tillë nuk do të tolerohet”.

“Ju kërkoj të respektoni ligjin ndërkombëtar”, tha Aleksandër Vuçiç.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka konfirmuar që Policia e Kosovës tashmë ka tri baza (stacione policore) në veri të vendit dhe se një tjetër është në ndërtim e sipër.

Sveçla ka thënë se qeveria e Kosovës është e vendosur që rendi dhe ligji të mbizotërojnë në pjesën veriore të shtetit.

“Tash kemi situatë tjetër. Kemi policinë e Kosovës, e cila është e vendosur atje 24 orë, kemi ndërtuar katër baza të policisë së kufirit për ndërhyrjen e shpejtë, kemi ndërtuar tre stacione të policisë së kufirit në zonën e gjelbër, kemi shtrirë sinjalin e 044 dhe 049…”, ka thënë Sveçla në T7.

Ai ka thënë se përpjekjet për ofrimin e kushteve për policinë që të veprojë në veri, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

“Tri nga to, tashmë kanë përfunduar, njëra është në përfundim e sipër. Tri stacione policore tashmë janë përfunduar, një tjetër është në përfundim e sipër. Do të vazhdojmë në këtë mënyrë, në mënyrë që t’ia mundësojmë Policisë së Kosovës, që jo vetëm sigurt, por edhe me komoditetin e nevojshëm të veprojë në atë territor që të garantojmë rend dhe ligj edhe në atë pjesë”, ka vazhduar ai.

Sveçla, po ashtu, ka thënë se tanimë në veri është një njësit i ri për ndërhyrje të shpejta kufitare, që themeluar së fundmi.

“Kemi edhe njësinë e re, njësinë e ndërhyrjes së shpejti për kufirin, por është jashtëzakonisht e përgatitur. Është njësi që kanë qenë pjesë e njësiteve të tjera”, ka sqaruar ai gjatë emisionit.

Minsitri i brendshëm ka thënë se Kosova është e vendosur për rend dhe ligj në veri dhe për këtë, ka thënë ai, ka edhe mbështetjen e aleatëve.

“Ne jemi të vendosur që rendi dhe ligji të kthehen atje. Është pjesë e Republikës së Kosovës, është tokë e jona dhe cilado njësi të jetë e nevojshme të jetë atje, do të jetë atje. Po, kemi edhe mbështetjen e aleatëve tanë, të cilët me prezencën e tyre atje, garantojnë siguri”, ka deklaruar Sveçla./Reporteri.net/.