Lokale - eSIMy

Një adoleshent 15-vjeçar dhe një grua 66-vjeçare palestineze u vranë të mërkurën nga forcat izraelite, ndërsa dhuna në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Jerusalemin Lindor vazhdon të përshkallëzohet.

Ministria e Shëndetësisë në Ramallah njoftoi se Rayan Tamer Hawshiya u qëllua me plumb në qafë nga ushtria izraelite gjatë një bastisjeje në vendbanimin Al Yamoun, afër Jeninit. Sipas banorëve lokalë, operacioni ushtarak u shoqërua me zjarr të rëndë armësh.

Ushtria izraelite e justifikoi ndërhyrjen duke thënë për CNN se “terroristët hodhën mjete shpërthyese ndaj forcave tona” dhe se “forcat u kundërpërgjigjën me zjarr dhe u identifikuan goditje”, raporton CNN.

Ndërkohë, në një incident të veçantë në kampin e refugjatëve Shuafat në Jerusalemin Lindor, një grua palestineze, Zahia Joudeh al-Obeidi, vdiq nga plagët pasi u qëllua në kokë nga policia izraelite, raportoi agjencia palestineze e lajmeve WAFA. Policia izraelite konfirmoi vdekjen dhe tha se ka nisur hetimet për rrethanat e incidentit.

Këto ngjarje ndodhën pas një vale tjetër dhune në qytezën Kafr Malik, ku kolonë izraelitë dogjën shtëpi dhe automjete palestineze.

Ministria e Jashtme e Palestinës i quajti sulmet “pogrome të dhunshme”, ndërsa autoritetet izraelite raportuan për përleshje mes palestinezëve të armatosur dhe forcave të sigurisë. Tre palestinezë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën, sipas autoriteteve palestineze.

Ushtria izraelite tha se pati viktima, por nuk sqaroi kombësinë e tyre.