Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, pasi ushtroi të drejtën e votës, ka thënë se procesi zgjedhor në këtë komunë është duke shkuar gjithçka me rregull, raporton Llapi.info.
Në një prononcim për medie, Bulliqi ka ftuar qytetarët llapjanë që t’u drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur kryetarin që do të qeverisë në katër vitet e ardhshme.
“Procesi siç duket po shkon në rregull. Sot është një ditë e veçantë për qytetarët e Llapit dhe Gollakut. Një ditë si kjo me diell do të sjell të parin e tyre, i cili do të udhëheq në katër vjetët e ardhshme. Shpresojmë që qytetarët tanë të përgjigjen masovikisht në këto zgjedhje dhe të vazhdojnë ndryshimet, për të pasur progres përpara. Esenciale është që qytetarët t’u përgjigjen votimeve. Për popullin, qytetarët ndryshimi është i mirëseardhur. Ftoj qytetarët të dalin se vota është për ndryshimin e të mirave dhe prosperitetin e tyre”, është shprehur Bulliqi.
Në Komunën e Podujevës janë 45 qendra me 111 vendvotime. Të drejtë vote kanë 83 mijë e 562 qytetarë. Deri në ora 11:00 në këtë Komunë kanë votuar mbi 7 mijë qytetarë./Llapi.info