Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për masat e fundit të izolimit për t’u mbrojtur nga koronavirusi.

Ajo thotë se këto masa nuk janë në pajtim me Kushtetutën dhe se ato vetëm mund të bëjnë dëme më të mëdha.

“Rregullat e izolimit duhet të jenë në pajtim me rregullat kushtetuese në Kosovë. Rregullat që krijojnë më shumë konfuzion dhe që s’kanë mundësi të zbatohen, do të bëjnë më shumë dëme”, ka thënë Von Cramon në një postim në Twitter.

Sipas saj, edhe vende tjera e kanë kufizuar kohën e qëndrimit jashtë gjatë pandemisë, por jo edhe orën kur mund të dalin.

“Qeveria duhet t’i kthehet bazës kushtetuese”, ka kërkuar raportuesja e PE-së për Kosovën, Viola Von Cramon.

Ministria e Shëndetësisë, ditë më parë njoftoi se nga sot (15 prill) do të hyjnë në fuqi masa të reja të kufizimit të lëvizjes së lirë. Masa e re nënkupton që qytetarët do të kenë të drejtë të dalin vetëm 1 orë e gjysmë gjatë ditës, në bazë të një orari të bazuar në numrin e parafundit të numrit personal të seciilit qytetar.