Lokale - eSIMy

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet. Shtëpitë, bizneset e ndryshme në Kosovë dhe hapësirat tjera publike janë shumë shpesh cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje.

Kështu, një 18-vjeçar nga Prishtina është arrestuar pasi dyshohet se ka kryer tri raste të vjedhjeve në markete të ndryshme të kryeqytetit brenda një muaji.

Burime të besueshme bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Artin Ramadanin, rreth 18-vjeçar, i cili dyshohet për disa vjedhje në marketet “Viva Fresh Store” në Hajvali dhe rrugën “Ferid Curri”, si dhe në “Super Viva” – Grand Store Veternik.

Sipas hetimeve, rasti i parë është raportuar më 3 tetor 2025 nga ankuesja M.O., rreth 31-vjeçare, e cila ka njoftuar Policinë se më 26 shtator, në marketin “Viva Fresh Store” në Hajvali, një person kishte marrë produkte ushqimore në vlerë rreth 125 euro dhe ishte larguar pa paguar. Nga kamerat e sigurisë, është identifikuar fytyra e të dyshuarit.

Rasti i dytë ndodhi më 18 tetor 2025, në rrugën “Ferid Curri”, ku ankuesja E. F., rreth 19-vjeçare raportoi se i njëjti person kishte marrë produkte ushqimore në vlerë rreth 45 euro dhe ishte larguar pa kryer pagesën. Edhe këtu, përmes video-incizimeve, u konstatua se autori ishte i njëjti.

Rasti i tretë, i cili vulosi identifikimin e tij, ndodhi më 22 tetor 2025 në marketin “Super Viva” në Grand Store Veternik. Ankuesi E. K., rreth 26-vjeçar raportoi se i dyshuari kishte marrë dy shishe raki të markës Gregos dhe gjatë ikjes i kishte rënë çanta personale.

Në brendësi të saj, policia gjeti letërnjoftimin dhe certifikatën e lindjes në emër të Artin Ramadanit, duke e identifikuar përfundimisht autorin e dyshuar.

Pas veprimeve operative, më 28 tetor 2025, hetuesit siguruan prezencën e tij dhe e shoqëruan në Stacionin Policor Jugu, ku u intervistua në prani të avokatit mbrojtës.
Gjatë deklarimit, i dyshuari pranoi kryerjen e të tri vjedhjeve.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, ndaj tij është lëshuar aktvendim për ndalim dhe i dyshuari është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Prishtinë.

Rasti është cilësuar si “Vjedhje”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të verifikuar nëse i riu është përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.